Ministri i Jashtëm grek, Jorgos Katrugalos ka zhvilluar në Bruksel një takim me homologun e tij turk, Mevlut Cavusoglu dhe në mediat greke ka folur për raportet e vendit të tij me fqinjët, si Turqia, Maqedonia e Veriut por edhe Shqipëria.
Kryediplomati grek ka theksuar rëndësinë e ecurisë pozitive në marrëdhëniet bilaterale me Shqipërinë, duke treguar se negociatat për Zonën Ekskluzive Ekonomike në detin Jon kanë ngecur për shkak të krizës politike në vendin tonë dhe mungesën e përgjigjeve për minoritetin grek.
“Është e drejtë vërejtja për sa i përket vonesës në negociata, ka arsye, ne padyshim që marrim parasysh trazirat politike në vendin fqinj. Ndërkohë që duhet të marrim dhe përgjigje për çështjet e parashtruara dhe madhore të minoritetit grek: konkretisht janë dy ligje që referohen në të drejtat përkatëse, ligji për mbrojtjen e pasurisë së palëvizshme në bregun e Himarës, si dhe ligji i përcaktimit të identitetit, që ofron mundësinë e deklarimit si minoritar në procesin e regjistrimit”, ka thënë ai.
Sipas ministrit, “janë dhënë disa përgjigje nga pala shqiptare” dhe kjo ka ndihmuar në rifillimin e diskutimeve, por “është akoma tepër herët të parashikojmë rezultatin”.
Duke u ndalur ne zgjerimin e vijës bregdetare, përfshirë paktin për Detin me vendin tonë, ai ka thënë se “zgjerimi i vijës bregdetare dhe përcaktimi i zonës ekskluzive ekonomike është ndër prioritetet e kryeministrit Cipras”.
“Madje, zgjerimi i vijës bregdetare përfshihet në projektin e përcaktimit të Zonës Ekskluzive Ekonomike me Shqipërinë, Italinë dhe Egjiptin, ky i fundit nëse realizohen negociatat e duhura. Bëhet fjalë për një vendim politik që sipas kryeministrit do të mbyllet me miratimin e legjislaturës përkatëse”, theksoi Katrugalos.