Ajri i ndotur shkakton më shumë vdekje të parakohshme sesa pirja e duhanit, konkluduan një grup shkencëtarësh në përfundim të një studimi të kohëve të fundit.
Të paktën 8.8 milionë vdekje në mbarë botën janë shkaktuar nga ajri i ndotur me grimca helmuese, sipas një ekipi hulumtimi të bazuar në qytetin gjerman të Mainzit.
Rezultatet e botuara në European Heart Journal tregojnë se çdo vit një mesatare prej 120 personash për 100,000 banorë vdesin para kohe nga efektet e ndotjes së ajrit.
Këto shifra në mënyrë të konsiderueshme tejkalojnë numrin e vdekjeve që i atribuohen pirjes së duhanit, gjë që shkakton 7.2 milionë vdekje në mbarë botën, përfshirë duhanin pasiv, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë – OBSH.
Ekipi hulumtues, i udhëhequr nga hulumtuesi i ndotjes së ajrit, Josom Lelieveld dhe kardiologu Thomas Muenzel, thekson se edhe pse një person mund të vendosë të ndërpresë pirjen e duhanit, ai nuk mund të shmangë ndotjen e ajrit.
Numri i vdekjeve të parakohshme në lidhje me ndotjen e ajrit në Evropë është 133 persona për 100,000 banorë, ndërsa në vendet industrialisht të zhvilluara me trafik të dendur, siç është Gjermania, janë regjistruar 154 vdekje për 100,000 njerëz çdo vit.
Sipas rezultateve të hulumtimit, kjo është më shumë se, për shembull, në Poloni, Itali ose Francë.