Tani duhet të shqetësohemi për ekonominë e këtij vendi.
Bota është mësuar të dëgjojë përherë për një ekonomi të suksesshme gjermane. Ajo ka qenë një prej spirancave të stabilitetit fiskal, ndërkohë që pjesa më e madhe e shteteve të Eurozonës luftuan me deficite dhe me nivele të larta borxhi, shkruan The Economist. Ndërsa borxhi i saj publik është nën objektivin e 60% të PBB-së të përcaktuar nga traktatet e BE-së.
Falë reformave të tregut të punës të prezantuara gjatë viteve 2000, gjermanët gëzojnë nivele të lartë të punësimit, i cili mund edhe Britaninë. Industritë e saj të shpërndara gjeografikisht arrijnë në rreth 200,000 firma të vogla dhe të mesme, të cilat kanë ndikuar në reduktimin e pabarazive që kanë nxitur përherë revoltat populiste në Perëndim.
Megjithatë, përpos atyre që u thanë më sipër, ekonomia gjermane papritmas duket se po përballet me shenjat e para të paqëndrueshmërisë. Në periudhën afatshkurtër, ajo po përballet me një ngadalësim. Ajo i shpëtoi për pak dhe arriti të shmangë recesionin në fund të 2018. Faktorët e përkohshëm, siç janë vendosja e standardeve më të forta ndaj nivelit të emetimeve të makinave, shpjegojnë disa nga dobësitë e saj dhe fatkeqësisht ka shumë pak shenja që tregojnë rikuperim të fuqishëm.
Niveli i prodhimit shënoi rënie në janar. Bizneset po humbasin besimin. Si FMN-ja, ashtu edhe Ministria e Financave, kanë ulur parashikimet e rritjes për vitin 2019. Në një periudhë afatgjatë, modelet ndryshuese të tregtisë dhe teknologjisë po lëvizin kundër prodhimeve gjermane.
Në fillim të muajit shkurt, ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier, paraqiti planet e reja për të bllokuar blerjet e padëshiruara të huaja dhe për të promovuar kampionët kombëtarë. Gjermania po përballet me vështirësi si në periudhën afatshkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë. Për të shpjeguar një gjë të tillë, le të fillojmë analizimin me ciklin e biznesit.
Shumë politikëbërës mendojnë se ekonomia është pranë mbinxehjes, duke theksuar rritjen e përshpejtuar të pagave dhe parashikimet për një inflacion më të lartë. Sipas tyre, pritej edhe një rritje në nivele më të ulëta. Edhe përpara ngadalësimit, FMN-ja parashikoi se në vitin 2023, inflacioni bazë do të jetë vetëm 2.5%. Në çdo rast, inflacioni më i lartë gjerman do të ishte i mirëpritur, si një mënyrë për të zgjidhur pabarazitë në konkurrencën brenda Eurozonës që do të rregulloheshin diku tjetër nëpërmjet kursit të këmbimit.
Rreziku nuk ka të bëjë me mbinxehjen, por me situatën me të cilën po përballet Europa, pasi vendet të cilat kanë nevojë që të fitojnë konkurrueshmëri po përballen me një tavan inflacion në nivele shumë të ulëta, të vendosur nga Gjermania. Ngadalësimi nxjerr në pah edhe probleme të tjera më të thella në lidhje me modelin e globalizuar ekonomik të Gjermanisë. Ai reflekton pjesërisht edhe pasojat e luftës tregtare midis Kinës dhe Amerikës, dy prej partnerëve më të mëdhenj tregtarë të Gjermanisë. Tregtia po bëhet gjithnjë e më shumë rajonale si pasojë e rritjes së nivelit të pasigurisë.
Nëse tregtia globale ndahet në blloqe të ndryshme tregtare dhe rregullatore, Gjermania do ta ketë më të vështirë t’ia shesë produktet e saj konsumatorëve në mbarë botën. Reformat e ndërmarra nga qeveria gjermane, në drejtim të tregut të punës, padyshim që e kanë forcuar këtë të fundit, por së shpejti, Gjermania do të përballet me sfida të reja. Punët e ndryshme në sektorin industrial janë ato të cilat duken edhe më të dobëta ndaj automatizimit. Fuqia punëtore po plaket. Bizneset nuk janë shumë të dixhitalizuara dhe duket se as nuk po investojnë mjaft në këtë drejtim. Nëse ndryshimet teknologjike do të kërkojnë që ekonomia e saj të përqafojë shërbimet dixhitale, atëherë Gjermania do ta shohë veten në vështirësi.
Qeveria nuk është e verbër ndaj këtyre problemeve, por proteksionizmi i z. Altmaier është ilaçi i gabuar. E majta, nga ana tjetër, dëshiron që të heqë reformat e tregut të punës. Që të dyja prej lëvizjeve të mësipërme duhet të ndihmojnë në rritjen e sotme dhe në atë afatgjatë të ekonomisë. Taksat më të ulëta për ekonomitë familjare do të nxisnin ribalancimin larg eksporteve dhe duke shkuar drejt konsumit. Rritja e nivelit të konkurrencës mund të fuqizojë industritë e shërbimit që janë ngadalësuar. Ekonomia gjermane ka pasur ecuri mbresëlënëse, por aktualisht po vihen re edhe disa të meta. Ndoshta ky është momenti për t’u shqetësuar.