Aktualitet KLP çel sot garën për Prokurorin e Përgjithshëm: Ja kush kandidon

KLP çel sot garën për Prokurorin e Përgjithshëm: Ja kush kandidon

Këshilli i Lartë i Prokurorisë çel sot garën për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, detyrë e cila që prej dhjetorit 2017 mbahet nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.

Në rendin e ditës së mbledhjes së sotme bien në sy dy pika kryesore; miratimi i rregullores mbi kriteret dhe procedurën për zgjedhjen e kandidateve për Prokurorin e Përgjithshëm me mandat 7-vjeçar, si edhe miratimi i rregullores mbi kriteret për procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve të SPAK.

Në garë për postin e prokurorit të përgjithshëm me mandat të plotë 7 vjeçar është edhe Prokurorja e Përkohshme Arta Marku.

Po ashtu për këtë post pritet te garojnë edhe disa prokurorë të tjerë si Adnand Xholi, Enrik Ligori , Olsian Cela, Ervin Kondili.

Pasi kalojnë filtrin e KLP, një listë me 3 emra të kandidateve për Prokuror të Përgjithshëm kalon në Kuvend, ku mjaftojnë 84 vota për zgjedhjen e kreut të ri te organit qendror të akuzës. Ai do të ketë një mandat 7 vjeçar dhe pa të drejtë ri-emërimi.

Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune, me integritet të lartë moral dhe profesional, që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose kanë një gradë shkencore në drejtësi.

Kandidati nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.