Drejtoria Rajonale e Transportit Rrugor në Elbasan ofron tashmë kushte shumë më të mira shërbimi për qytetarët, falë rikonstruksionit të ambienteve të saj, përmes një investimi në vlerën e 40 milionë lekëve.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Prefekti i qarkut të Elbasanit, Gledian Llatja dhe drejtori i përgjithshëm i DPSHTRR, Blendi Gonxhja ka inspektuar ambientet e rikonstruktuara.
Ministrja Balluku vlerësoi punën e bërë nga Drejtoritë Rajonale të Transportit Rrugor por edhe iniciativat që po ndërmerren sa i takon rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.
“Sot jemi në një drejtori totalisht të rinovuar dhe rikonstruktuar këtu në Elbasan, dhe besoj që është një nga drejtoritë model. Cilësia e shërbimit është padyshim përmirësuar, por edhe kushtet në të cilat ne ofrojmë shërbimin janë përmirësuar ndjeshëm. Unë dua të përgëzoj të gjithë ekipin për punën që ka bërë dhe sigurisht edhe zotin Gonxhe për iniciativat e reja që po ndërmerr për rritjen e cilësisë së shërbimit”, u shpreh Balluku.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, njoftoi se së shpejti në qytetin e Gramshit do të hapet një tjetër zyrë në mënyrë që qytetarët t’i marrin shërbimet më pranë vendbanimit të tyre.
“Një nga risitë që duhet të përmendim dhe që është më pranë Elbasanit është çelja e zyrës së re në Gramsh. Pas pak ditësh do të kemi një shërbim të ri atje që lehtëson shumë qytetarët e Gramshit dhe u kursen atyre kohë dhe para, që më parë i shpenzonin për të ardhur deri në Elbasan”, deklaroi Gonxhe.
Për Prefektin e Elbasanit, Gledian Llatja, shërbimi ndaj qytetarëve është kryesori. “Për ne shërbimi ndaj qytetarëve është kryesori dhe absolutisht që do ta shtrimë në çdo institucion. Kjo kuptohet që duhet të ndërthuret me uljen e kostove dhe me përmirësimin e shërbimeve”, ka theksuar Llatja.
DRSHTRR Elbasan ofron kushte më optimale pune për 38 punonjësit e saj, duke garantuar shërbim cilësor për rreth 500 qytetarë, që paraqiten mesatarisht çdo ditë pranë kësaj zyre.
Aktualitet Rikonstruktohen ambientet e DRSHTRR Elbasan, Balluku: Rrisim cilësinë e shërbimit për qytetarët