Udhëheqësit demokratë në Kongres për momentin kanë hequr dorë nga ideja e procesit për të larguar nga posti Presidentin Donald Trump. Historikisht procesi për të shkarkuar një president është një fenomen i rrallë. Vetëm dy presidentë janë përballur me këtë proces, Andrew Johnson në vitin 1868 dhe Bill Clinton në 1998. Të dy arritën të mbajnë postin pasi Senati hapi proces gjyqësor mbi fatin e presidencës së tyre. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone, nritja e akuzave për shkarkimin e një presidenti është një manovër e rrezikshme politike që mund të ketë pasoja të paparashikueshme.
Megjithë presionin nga aktivistë liberalë, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi është kundër procesit për shkarkimin e Presidentit Trump, të paktën për momentin: “Procesi për shkarkimin e presidentit është një akt përçarës për vendin. Para se të shkojmë deri në atë pikë, le të analizojmë faktet, të analizojmë ligjet dhe sjelljen e presidentit”.
Për Presidentin Trump, ideja e shkarkimit është absurde: “Nuk mund të shkarkosh dikë që po bën punë të shkëlqyer. Kështu e shoh unë”.
Demokratët mund të preferojnë që votuesit ta largojnë presidentin kur të vijë koha për zgjedhjet presidenciale të 2020, thotë analisti Matt Dallek: “Deri kur të vihen në lëvizje procedurat për shkarkimin e presidentit, do të jetë fundi i këtij viti, apo fillimi i 2020-ës. Kjo krijon ndërlikime, pasi ka një mënyrë tjetër për ta larguar presidentin dhe ajo bëhet me votën për president”.
Demokratët ndoshta kanë nxjerrë mësime nga përpjekjet për shkarkimin e ish-Presidentit Bill Klinton në 1998.
Presidenti Klinton gënjeu në përpjekje për të fshehur marrëdhëniet jashtëmartesore me stazhieren Monica Lewinsky, gjë që rezultoi në hapjen e procesit për shkarkimin e tij në Dhomën e Përfaqësuesve. Ai arriti të mbante postin, pasi Senati e shpalli të pafajshëm për akuzat.
“E pranoj përgjegjësinë për gabimet që bëra në jetën time personale,” tha zoti Klinton.
Pas procesit, republikanët humbën pesë vende në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e 1998-ës. Analisti Larry Sabato e sheh këtë humbje si rezultat i reagimit negativ të zgjedhësve ndaj procesit.
“Duke pasur parasysh faktin se republikanët sulmuan një president të lënduar, në këtë rast zotin Klinton dhe e bënë të paprekshëm për gjithë presidencën e tij, demokratët duhet t’i druhen procesit për shkarkimin e një presidenti”.
Analisti Sabato thotë se themeluesit e Amerikës e shihnin këtë proces si një fenomen shumë të rrallë: “Ata nuk donin që presidentët të shkarkoheshin dhe të largoheshin nga posti për shkelje të vogla. Donin që Kongresi ta përdorte këtë armë vetëm në raste ekstreme”.
Në 1974, Kongresi filloi procesin për shkarkimin e Presidentit Nixon lidhur me skandalin Watergate.
Zoti Nixon u largua nga posti pasi u bë e qartë se do të humbte në procesin gjyqësor që kishte hapur Senati.
Thirrjet për shkarkimin e Presidentit Trump mund të rizgjohen, në varësi të përfundimeve në raportin e Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller lidhur me ndërhyrjet e Rusisë në zgjedhjet e 2016-ës, thotë analisti John Hudak.
“Mendoj se nëse në raportin e Prokurorit Mueller dalin shkelje serioze nga presidenti dhe fushata e tij, kjo do t’u jepte material demokratëve të shqyrtojnë hapjen e procesit për shkarkimin e presidentit”.
Për momentin duket se ka më shumë gjasa që Presidenti Trump të presë vendimin e votuesve në zgjedhjet e 2020-ës para se demokratët të ndërmarrin ndonjë hap serioz hetimor në Dhomën e Përfaqësuesve./VOA