Nga Ylli Pata*
Monika Kryemadhi, në një intevistë në televizionin lokal të Shkodrës, “Shkodra Channel”, ka dhënë një deklaratë, e cila zbulon shumë për strategjinë e opozitës për djegien e mandateve.
Kryetarja e LSI-së, deklaron për Shkodra Channel ndër të tjera se “mazhoranca u tregua arrogante me zëvendësimin e menjëhershëm të mandateve, duke shkelur të gjitha ligjet dhe Kushtetutën”.
Një deklaratë që tregon qartë se opozita ka pasur pritshmëri tjetër në lidhje me manovrën e tyre të fortë për dalje nga sistemi parlamentar.
Pritshmëri që sipas deklaratës së Kryemadhit, ka pasur një tjetër taktikë; ku opozita sipas gjasave ka pritur pas dorëzimit të mandateve në Kuvend, Gramoz Ruçi, të kthente shkresat tek Partia Demokratike për procedurë, duke i dhënë kohë më shumë Bashës e Kryemadhit të bëjnë politikë me presionin.
Qëndrimi i kryetares së LSI-së për Shkodra Channel bëhet më i qartë nëse do të lexohet edhe deklarata e Presidentit Ilir Meta, i cili tha se zëvendësimi i deputetëve nuk është i rregullt.
Meta tha se vetëm 82 deputetë janë të ligjshëm.
Në fakt, ky është një proces që ka dy pjesë: dorëheqjen e deputetit dhe zëvendësimin e tij sipas ligjit, duke respektuar listën pritëse të partive përkatëse të opozitës: PD dhe LSI.
Kuvendi menjëherë sapo ka marrë aktet e dorëheqjeve të deputetëve të opozitës, që u dorëzuan gjithë ceremonialitet pas protestës përpara Parlamentit, i ka përcjellë ata në Komisionin Qendror i Zgjedhjeve.
Ky institucion, ka nisur po menjëherë procedurën ligjore të rotacionit kushtetues, duke iu referuar kandidatët pritës.
Pikërisht këtu ndodhi efekti domino, kur kandidatë të PD-së dhe LSI-së në qarqe pranuan të marrin mandatin dhe procesi hyri në hulli normale.
Opozita nuk e pranoi këtë proces por s’kishte ç’të bënte; nuk mund të ndalte procesin dhe nisi presionin ndaj kandidatëve.
Rasti i Ligoraq Karamelos në Korçë, i cili u kërcënua tre herë është emblematik.
Ndërkohë, Monika Kryemadhi i dërgoi KQZ-së një shkresë, ku i quante deputetët rishtar të partisë së saj si “jo përfaqësues”, ndërkohë që ata i kishte certifikuar pikërisht LSI-ja në zgjedhjet e 25 qershorit, kur i kishte dërguar në KQZ si kandidatë zyrtarë të saj.
Pra opozita i ka hyrë një “loje” ku ka menduar blofin, si në poker, kur edhe pse nuk ka letrën e duhur, ka tentuar të mbyllë dorën.
PD e LSI ka pritur që kundërshtari të impresionohet nga loja e ashpër dhe të tërhiqet. Por nuk ka ndodhur kështu, mazhoranca ka hapur letrat dhe ka vazhduar lojën.
Siç thotë edhe opozita shpesh herë, tani nuk ka kthim mbrapsht.
*TemA Javore