Aktualitet Arrestuan grabitësin, shpërblehen 3 punonjësit e Policisë Rrugore

Arrestuan grabitësin, shpërblehen 3 punonjësit e Policisë Rrugore

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, e nisi ditën e mërkurë me një takim me 3 punonjësit e Policisë Rrugore, të cilët ndaluan dhe arrestuan në flagrancë grabitësin në Tiranë, në tentativën për t’u larguar.

Ngjarja ndodhi të premten e kaluar, kur një kambist u grabit me dhunë, ndërsa policia rrugore vuri në pranga 35-vjeçarin Elvis Tafa.

Lleshaj shprehu vlerësimin maksimal dhe theksoi se ky është modeli i suksesit që duhet nxitur, motivuar dhe përhapur në të gjithë strukturat e Policisë së Shtetit.

“Na duhet pikërisht ky model; modeli i një polici, i cili është vigjilent, është i përgatitur, është profesionist, por është i guximshëm dhe trim për të bërë detyrën. Këtë kërkojnë të gjithë shqiptarët, këtë kërkon gjithë Policia e Shtetit dhe ky është modeli i suksesit, që ne kërkojmë ta nxisim, ta motivojmë dhe ta përhapim në të gjithë strukturat e Policisë së Shtetit”, është shprehur ministri.

Më tej ai nënvizoi se Policia Rrugore duhet të jetë e mirë trajnuar dhe profesioniste, pasi është e para që ndeshet në mënyrë të përditshme me një pjesë të madhe të problematikave të sigurisë që shfaqen në rrugët e vendit.

Ndërkohë, Drejtori i Policisë së Shtetit ka firmosur shpërblimin e tre efektivëve të policisë rrugore, të cilët bënë të mundur arrestimin e grabitësit të kambistit në Tiranë.

Ardi Veliu deklaroi se akti i efektivëve është shembull dhe duhet shtrirë në gjithë strukturat e Policisë.