Aktualitet “Ja si Shefi i Rendit në Kurbin bashkëpunonte me grupin kriminal të...

“Ja si Shefi i Rendit në Kurbin bashkëpunonte me grupin kriminal të kanabisit”

Shefi i Rendit në Laç, Ylli Vata është shpallur në kërkim, pasi gjykata e Krimeve të Rënda vendosi në mungesë masën e sigurisë arrest me burg.

Vata akuzohet për favorizim dhe bashkëpunim të kulitvimit të lëndëve narkotike.

Vata ishte pjesë e një grupi kriminal, hetimet e të cilit kanë filluar që në korrik të 2016. Kreu i grupit kriminal ka qenë shtetasi Lefter Neli, i cili bashkëpunonte ngushtë me shefin e rendit të Laçit.

“Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Ylli Vata, me funksion Shef i Rendit në Komisariatin e Policisë Kurbin, në kuadër të një hetimi për veprat penale të “Kultivimit të lëndëve narkotike”, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprimeve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Vendimi i gjykatës ende nuk është zbatuar pasi i dyshuari nuk është paraqitur në punë që prej ditës kur ndaj tij është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg”, në dt. 13.02.2017”, sqaron prokuroria.

Në nëntor 2016 u arrestuan 7 persona-Në bazë të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, ka rezultuar se oficeri i policisë Vata, duke qenë dhe epror direkt i specialistëve të policisë të zonave, ka ndikuar në moskryerjen e detyrës së tyre, si pjesë e zinxhirit kriminal dhe si bashkëpuntor në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Emri i Shefit të Rendit të Kurbinit rezultoi gjatë hetimit të nisur pak muaj më parë nga Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të të cilit, në Nëntor 2016 u arrestuan edhe 7 persona, njëri prej të cilëve efektiv policie.

Hetimet kanë nisur që në korrik 2016-Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin në Korrik 2016, në bazë të materialeve të përcjella nga ana e Prokurorisë së Kurbinit. Nga hetimet e asaj prokurorie, rezultonte se disa persona të arrestuar në flagrancë, mund të ishin pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Për këtë arsye, Prokuroria për Krime të Rënda, si strukturë përgjegjëse për hetimin e grupeve kriminale, pranoi aktet e Prokurorisë së Kurbinit dhe zhvilloi hetimet e mëtejshme.

Mekanizëm i veçantë për kultivimin e kanabisit-Në bazë të veprimeve proceduriale, Prokuroria për Krime të Rënda siguroi informacione të mjaftueshme, në bazë të të cilave grupi kriminal kishte bashkëpunimin e punonjësve të policisë, të cilët kishin për detyrë të njoftonte nëse zhvilloheshin operacione policore anti-kanabis në atë zonë. Për këtë arsye, Prokuroria angazhoi në hetim edhe Shërbimin për Çështje të Brendshme dhe Ankesa në Ministrinë e Brendshme. Si rezultat i hetimeve të kryera, është provuar se shtetasi Lefter Neli ka organizuar dhe krijuar një mekanizëm, i cili bën të mundur dhe krijon të gjitha kushtet e përshtatshme për kultivimin e bimës narkotike në zonat e malësisë së Kurbinit. Po ashtu, nga hetimi rezulton se, për këtë aktivitet, ai ka marrë sigurinë se ajo nuk do të cënohet nga forcat e policisë së komisariatit të Kurbinit. Po sipas hetimit, grupi kishte të siguruar edhe tregtimit të lëndës narkotike pas procesit të përpunimit.

Lefter Neli kreu i grupit kriminal- Pas arrestimit të disa personave, përfshirë edhe atë që konsiderohej kreu i grupit, Lefter Neli, Prokuroria për Krime të Rënda vijoi hetimin për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm. Nga hetimi u konstatua se një sasi relativisht e madhe bimësh narkotike nuk është asgjësuar edhe pse grupi i kontrollit, i drejtuar nga Shefi i Rendit Ylli Vata, kishte qenë në këto vende dhe nuk ka kryer detyrën për asgjësimin e tyre.

Lefter Neli bashkëpunonte me shefin e rendit-Në bazë të të dhënave të marra nga hetimi, Prokuroria për Krime të Rënda ka arritur në konkluzionin se shtetasi Lefter Nelaj dhe bashkëpuntorët e tij, bashkëpunonin ngushtësisht me drejtuesin e rendit në Komisariatin e Policisë Kurbin, me qëllim kryerjen e veprave penale për të cilat janë arrestuar.

Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka marrë miratimin e gjykatës për arrestimin e oficerit të policisë, Ylli Vata.