Sport Strakoshën e kërkon Tottenham, Lazio vendos kushtet financiare

Strakoshën e kërkon Tottenham, Lazio vendos kushtet financiare

Thomas Strakosha bëri ndeshje të jashtëzakonshme disa ditë më parë, teksa ai dhe ekipi i tij fituan në fushën e Interit. Portieri i kombëtares shqiptare arriti të mbante të paprekur rrjetën për Lacion në sfidën ndaj Interit, të cilën miqtë e fituan me gol të Milinkoviç-Saviç. Atë mbrëmje, në “San Siro”, ka pasur vëzhgues për portierin shqiptar, pasi prej kohësh ai është në vëmendjen e disa klubeve.

Së fundi ka shfaqur interes një tjetër klub nga Premier Liga angleze. Tottenham mësohet të ketë vënë në fokus Thomas Strakoshën. Siç raportuan mediat përtej Adriatikut pak ditë më parë, klubi anglez ofron deri në 33 milion euro për gardian kuqezi. Një ofertë të ngjashme, u raportua nga mediat vitin e kaluar, e jepte dhe Liverpool për portierin shqiptar, po asnjëherë nuk pati lëvizje konkrete.

Ndërkohë, Strakosha mund të jetë pjesë e merkatos së Lacios në fund të këtij sezoni, duke pasur parasysh faktin që portieri gëzon formë të mirë dhe vlera e tij në treg është rritur shumë dy vitet e fundit. Një portal pranë ekipit të Lacios, “Cittacelesete.it”, shkruan sot se Presidenti i ekipit kryeqytetas, Klaudio Lotito nuk e lëshon Strakoshën pa 40 milion euro.

Vlera reale e gardianit kuqezi për momentin, sipas sajtit të specializuar të transferimeve, “Transfermarkt”, është 20 milion euro. Megjithatë, Strakosha ka kontratë me Lazion deri në vitin 2022, çka do të thotë se për të prishur këtë marrëveshje, klubet e tjera do të duhet të shpenzojnë shumë para për portierin e kombëtares shqiptare.