Transporti publik në disa qarqe të vendit është vënë në vështirësi në javët e fundit, pas përplasjeve të subjekteve të transportit rrugor të qyteteve të ndryshme mes njëri–tjetrit. Acarimi i tyre është shoqëruar edhe me kërkesa deri në ultimatum, drejtuar Ministrisë së infrastrukturës dhe Energjisë.
Por duket se situata është bërë edhe më komplekse për shkak të konflikteve të brendshme që Shoqata e Transportit Ndërqytetas ka mes vetes, ku përfaqësues të rinj kanë dalë në publik si drejtues të kësaj shoqate e madje duke ndryshuar edhe kërkesat ndaj MIE, për ndryshim të ligjit në fuqi.
Shoqata e Trasportit Ndërqytetas është takuar pak javë më parë me ministren Belinda Balluku dhe Drejtues të MIE dhe DPSHTRR, ku kanë pasur mundësinë të shprehin shqetësimin e tyre për konkurrencën e padrejtë dhe automjetet e palicensuara, që u marrin tregun.
Nisur nga kërkesat e tyre MIE mori masa të menjëhershme për të për të mbrojtur kompanitë e rregullta dhe për të goditur informalitetin në këtë sektor, duke intensifikuar aktivitetin e task Forces së Transportit në terren.
Por burime nga MIE thonë se ky aksion i Task Forcës ka nxjerrë në pah problematikën e vërtetë dhe kaosin ku transporti ndërqytetas është zhytur. Përmes ndërhyrjeve blic të Task Forcës është identifikuar se shumica e kompanive kryejnë veprime në shkelje me ligjet dhe udhëzimet në fuqi, përfshirë këtu dhe kompanitë e përfaqësuesve të shoqatave.
Task Forca nga ana e saj ka vendosur gjoba dhe ka lënë rekomandime për shkeljet e konstatuara. Por ky reagim për vendosjen e ligjshmërisë dhe luftën kundër informalitetit duket se ka shkaktuar edhe reagimin e Shoqatës së Transportit Ndërqytetas, të cilët vetëm pak javë më parë kërkonin zbatimin e ligjit, ndërsa sot kërkojnë që të ndryshojë ligji.