Një diamant mjaft i rrallë, 88.22 karatësh, në formë ovale i’u shit një koleksionuesi anonim japonez për më shumë se 11 milionë dollarë.
Sipas shtëpisë së ankandeve, diamanti, bashkë me tarifat dhe taksat kap shifrën e 13.8 milionë dollarëve.
“Zakonisht ne nuk i bëjmë të ditura transaksionet e blerësve, por kësaj radhe morën lejen e tij, i cili është një koleksionues privat japonez”, deklaron organizatori i këtij ankandi.
“Diamanti do të marrë emrin e vajzës së parë të pronarit të ri”, shton ai.
Diamanti në fjalë doli nga një gur 242 karatësh që u zbulua në minierën Jwaneng në Botswana, vendin afrikan që mbulon 40% të ofertës globale për diamantë. Sipas ekspertëve, diamanti oval është spektakolar në shumë aspekte. I gjithë ankandi zgjati 10 minuta.
Rekordin botëror e mban diamanti rozë 59.60 karatësh i shitur në 2017 për shifrën rekord të 71.2 milionë dollarëve në Hong Kong. Diamanti rozë mban rekord, si për diamantet ashtu edhe për çfarëdolloj guri të çmuar tjetër.