Bota A do të aneksojë Netanjahu edhe Bregun Perëndimor të Jordanit?

A do të aneksojë Netanjahu edhe Bregun Perëndimor të Jordanit?

Pak para zgjedhjeve parlamentare në Izrael kryeministri Netanjahu mendon edhe aneksimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor të Jordanit. Deri tani këtë e kanë kërkuar vetëm partnerët ultra-nacionalistë të koalicionit.

Do të ushtroj “sovranitetin” izraelit në Bregun Perëndimor të Jordanit duke mos bërë asnjë dallim mes të gjithë bllokut të vendbanimeve dhe atyre që jane të izoluara, tha kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu në një intervistë televizive. Ai theksoi, se ka arritur që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të njohë si territor izraelit Kodrat e Golanit. Tani synohet kalimi në “fazën tjetër”.

Një zëdhënës i presidentit palestinez Mahmud Abbas i tha agjencisë së lajmeve Reuters, se të tilla hapa dhe deklarime nuk i ndryshojnë faktet. Vendbanimet janë ilegale dhe duhet të hiqen.

Ndërkohë më shumë se 400.000 banorë jetojnë në Bregun Perëndimor të Jordanit të pushtuar që nga viti 1967 dhe 200.000 të tjerë në Jeruzalemin Lindor të aneksuar prej Izraelit. OKB-ja i konsideron këto vendbanime izraelite në zonat e pushtuara palestineze si ilegale.

Në nivel ndërkombëtar ndërtimi i vendbanimeve izraelite konsiderohet si një ndër pengesat më të mëdha për një zgjidhje të qëndrueshme paqësore në Lindjen e Mesme, sepse vendbanimet ngrihen në një vend, të cilin e pretendojnë si shtetin e tyre palestinezët.

Mesazh zgjedhësve nacionalistë?

Deri tani partneri ultra-nacionalist i koalicionit të qeverisë së Netanjahut ka kërkuar, që të shtrihet sovraniteti izraelit edhe në Jordanin Perëndimor. Netanjahu vet në të kaluarën është shprehur për krijimin e një shteti palestinez të demilitarizuar. Deklarimet e tij tani pak para zgjedhjeve parlamentare të martën duket se synojnë tërheqjen e votave të zgjedhësve nacionalistë, të cilët janë kundër zgjidhjes paqësore me palestinezët.

Netanjahu synon një mandat të pestë si kryeministër. Në anketime parashikohet një garë pikë më pikë mes partisë së tij Likud dhe aleancës së qendrës blu-bardhë. Atë e kërcënon edhe një padi për shkak të akuzave për korrupsion. Në kulmin e fushatës elektorale prokurori i përgjithshëm deklaroi, se do të ngrejë padi kundër kryeministrit për ryshfet, mashtrim dhe shpërdorim të besimit në tri raste./DW