Një grup shkencëtarësh nga qendra të ndryshme universitare të botës kanë zbuluar një specie të re njerëzore në Filipine.
Specia e re është quajtur Homo Luzonensis, nga ishulli Luzon ku u gjetën fosilet 50 mijë vjeçare.
Sipas mediave që raportojnë gjetjet, shkencëtarët janë shumë entuziastë se gjetjet do të japin një shtysë cilësore për kuptimin më të mirë të evolucionit njerëzor.
Fosilet u përkasin dy personave të rritur dhe një të riu dhe ato përfshijnë eshtrat e gishtave dhe dhëmbët.
Është zbuluar po ashtu femuri i një fëmije.
“Dhëmbët janë me të vërtetë të vegjël. Masa e dhëmbëve në përgjithësi, ndonëse jo përherë, reflekton përmasën e trupit të gjitarit kështu që ne mendojmë se homo luzonensis ka qenë relativisht i vogël”, shprehet Philip Piper, një prej drejtuesve të ekipit që bëri zbulimin.
Filipinet kanë fituar rëndësi të madhe së fundmi për disiplinën e palentologjisë pasi vetëm në shpellën ku është gjetur specia më e fundit, pak kohë më parë u zbuluan mbetjet e një rinoceronti të therur, që daton rreth 700 mijë vjet më parë.
Kjo shpjegon se njeriu ishte prezent në Filipine në këtë periudhë, ndonëse shkencëtarët nuk janë në gjendje të sqarojnë se për cilin hominin bëhet fjalë.
Homo Luzonensis ka disa të përbashkëta skeletore me homo floresiensis, zbuluar në ishullin Flores në juglindje të arkipelagut të Filipineve.