Shefi i Rendit në Komisariatin e Policisë Kurbin është shpallur në kërkim, pasi akuzohet se është përfshirë në kultivimin e lëndëve narkotike. Behet fjalë për Ylli Vatën, ndaj të cilit me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, në datë 13 shkurt të këtij viti. Sipas organit të akuzës, mbi zyrtarin e policisë rëndojnë akuzat e “Kultivimit të lëndëve narkotike”, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprimeve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Burime pranë hetuesve të çështjes bënë me dije se arrestimi për këtë shtetas dyshohet të jetë dekonspiruar, pasi që prej datës kur gjykata vendosi masën e sigurisë në mungesë, Vata nuk është paraqitur më në punë. Emri i tij ka dalë në skenë nga përgjimet e personave të përfshirë në trafikimin e drogës, në nëntor të vitit të shkuar, ku në pranga u vunë 7 persona, njëri prej të cilëve ishte efektiv policie.
Konkretisht, të arrestuarit ishin shtetasit Luftar Nelaj, Hashim Nelaj, Elton Haxhia, Bashkim Kodra, Zan Kasmi (punonjës policie), Sami Balloku dhe Aldo Xhaferri. Hetimi për këtë grup kriminal nisi në muajin korrik të 2016-ës, ndërsa është duke u punuar edhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në kultivimin e drogës. Nga hetimet është faktuar se oficeri Vata duke qenë epror i policëve të zonave ka ndikuar tek ata që të mos kryejnë detyrën për të mbledhur informacion mbi mbjelljen e kanabisit. Madje, në disa raste, ai ka qenë në parcelat me kanabis dhe nuk e ka asgjësuar drogën.
Në nëntor 2016, “Gazeta Shqiptare” zbardhi një pjesë të përgjimeve të personave të arrestuar në atë kohë, ku bisedonin në lidhje me “frikën” që kishin për asgjësimin e bimëve. Ndërkaq, “GSH” zbardh sot një bisedë të kryer mes Luftar Nelajt dhe një personi tjetër të shpallur në kërkim, ku në parcelat e këtij të fundit do të shkonte Ylli Vata me grupin e kontrollit. Burimet e lartpërmendura bënë me dije se dyshohet se Vata kishte lidhje me të paktën 3 grupe që kultivonin kanabis në zonën e Kurbinit dhe u merrte atyre nga 20-30% të parave nga shitja e kanabisit, në këmbim të garancisë që u jepte për mosasgjësimin e drogës.
DOSJA E PROKURORISE
Në bazë të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, ka rezultuar se oficeri i policisë, Vata, duke qenë dhe epror direkt i specialistëve të policisë të zonave, ka ndikuar në moskryerjen e detyrës së tyre, si pjesë e zinxhirit kriminal dhe si bashkëpunëtor në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Emri i shefit të Rendit të Kurbinit rezultoi gjatë hetimit të nisur pak muaj më parë nga Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të të cilit, në nëntor 2016 u arrestuan edhe 7 persona, njëri prej të cilëve efektiv policie. Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin në korrik 2016, në bazë të materialeve të përcjella nga ana e Prokurorisë së Kurbinit.
Në bazë të veprimeve procedurale, Prokuroria për Krime të Rënda siguroi informacione të mjaftueshme, në bazë të të cilave grupi kriminal kishte bashkëpunimin e punonjësve të policisë, të cilët kishin për detyrë të njoftonin nëse zhvilloheshin operacione policore antikanabis në atë zonë. Për këtë arsye, Prokuroria angazhoi në hetim edhe Shërbimin për Çështje të Brendshme dhe Ankesa në Ministrinë e Brendshme. Si rezultat i hetimeve të kryera, është provuar se shtetasi Lefter Neli ka organizuar dhe krijuar një mekanizëm, i cili bën të mundur dhe krijon të gjitha kushtet e përshtatshme për kultivimin e bimës narkotike në zonat e malësisë së Kurbinit.
Po ashtu, nga hetimi rezulton se për këtë aktivitet, ai ka marrë sigurinë se ajo nuk do të cenohet nga forcat e policisë së komisariatit të Kurbinit. Po sipas hetimit, grupi kishte të siguruar edhe tregtimin e lëndës narkotike pas procesit të përpunimit. Pas arrestimit të disa personave, përfshirë edhe atë që konsiderohej kreu i grupit, Lefter Neli, Prokuroria për Krime të Rënda vijoi hetimin për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm. Nga hetimi u konstatua se një sasi relativisht e madhe bimësh narkotike nuk është asgjësuar edhe pse grupi i kontrollit, i drejtuar nga shefi i Rendit Ylli Vata kishte qenë në këto vende dhe nuk ka kryer detyrën për asgjësimin e tyre. Në bazë të të dhënave të marra nga hetimi, Prokuroria për Krime të Rënda ka arritur në konkluzionin se shtetasi Lefter Nelaj dhe bashkëpunëtorët e tij bashkëpunonin ngushtësisht me drejtuesin e rendit në Komisariatin e Policisë Kurbin, me qëllim kryerjen e veprave penale për të cilat janë arrestuar.
Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka marrë miratimin e gjykatës për arrestimin e oficerit të policisë, Ylli Vata.
(Gazeta Shqiptare)