Nga Robert Bosch
Asnjë vend tjetër kandidat për në BE nuk ka zbatuar një reformë kaq të rreptë të gjyqësorit deri më sot. Fatkeqësisht, po hidhet vazhdimisht baltë për ta zhvlerësuar këtë proces. Deputetja e CDA, Van Torenburg, vetëm mund të lëvdohet nga kriminelët.
Të enjten e 11 prillit, Dhoma e Ulët e Parlamentit holandez nisi një debat për “bandat shqiptare në qarqet kriminale të Holandës”, sipas një kërkese që CDA (Partia Kristian-Demokrate e Holandës) e kishte bërë që në nëntor të vitit 2017. Zëdhënësja për CDA, deputetja Madeleine Van Toorenburg, kërkoi që vendi të kishte më pak shqiptarë, në një mënyrë që do të ishte e denjë për partinë PVV (e djathta nacionaliste në Holandë).
Debati u bë shumë interesant. Çfarëdo përgjigjeje që të jepte Ministri i Sigurisë dhe Drejtësisë, Graperhaus, deputetja e partisë së tij nuk kishte interes ta dëgjonte. Ajo ishte e shurdhër para shifrave që paraqiti ai, shifra që Van Toorenburg i kishte kërkuar vetë nëpërmjet letrës-kërkesë të dërguar në të njëjtën ditë.
Kur ministri tha se çështja është serioze, por bëhet fjalë për një numër të vogël kriminelësh, ajo u hodh menjëherë dhe tha se shqiptarët po i destabilizojnë vendin.
Realiteti është që në vend janë vërtet disa banda kriminale shqiptare, banda që s’kanë frikë nga dhuna, por është e qartë që ndaj tyre po merren masa dhe se ka një bashkëpunim të mirë me autoritetet shqiptare. Për shembull, një bandë u kap para pak ditësh me ndihmën e policisë shqiptare dhe të Europolit.
Ministri Graperhaus dhe Ministri Harbers vizituan Tiranën javën e shkuar që të diskutonin detaje më të imëta për bashkëpunim, dhe erdhën me përshtypje të mira.
Qeveria e tanishme shqiptare po vë në zbatim një reformë të paprecedentë për gjyqësorin. Gjykatësit dhe prokurorët po kalojnë në sitë, dhe nëse nuk i plotësojnë kushtet për integritet, apo nëse nuk vërtetojnë pasuritë, ata po shkarkohen. Ekspertë të huaj (Edhe nga Holanda) po marrin masa që kjo të ndodhë në mënyrë objektive. Asnjë vend tjetër kandidat për në BE nuk ka zbatuar një reformë kaq të rreptë deri më sot.
Qeveria shqiptare po bën të gjitha përpjekjet për të ulur krimin dhe korrupsionin. Fatkeqësisht, po hidhet shumë baltë për të zhvlerësuar procesin. Van Toorenburg vetëm mund të lëvdohet nga kriminelët, të cilët duan ta ndalojnë me çdo kusht këtë reformë, duke sulmuar dhe masat reformuese të qeverisë së tanishme. Kriminelët e vërtetë nuk duan t’ia dinë për udhëtimin pa viza, sepse ata nuk kanë nevojë për viza dhe mund të gjejnë pasaporta të tjera fare lehtësisht. Viktimat e vërteta të rikthimit të vizave do të ishin shqiptarët e zakonshëm, biznesmenët, studentët dhe turistët.
Veç të tjerave, në debat u tha që kriminelët shqiptarë janë më aktivë në Britani se në Holandë, edhe pse në Britani nuk udhëtojnë dot pa viza. Znjsh.Van Toorenburg la të kuptohet që ajo nuk e kishte shumë të qartë se ç’do të thotë udhëtim pa viza. Ajo tha që policia nuk bën dot gjë kundër shqiptarëve që enden kalimthi në zonat bregdetare të Holandës, teksa përpiqen të kalojnë kufirin për në Angli, sepse kur arrestohen ata justifikohen se kanë ardhur për turizëm. Por kjo është e pasaktë, sepse nëse dikush nuk ka një shumë të paracaktuar parsh, nuk ka një vendbanim të deklaruar, nuk ka sigurime të paguara, nuk mund të shkelë në zonën Shengen. Fakti që ata prapëseprapë janë këtu, tregon që kufijtë e jashtëm të BE-së nuk po kontrollohen mirë, dhe se ka arsye ligjore që këta persona të dëbohen nga vendi.
Letra që iu dërgua parlamentit thotë gjithashtu se Komisioni Europian bën një verifikim të përvitshëm për të parë nëse vendet të cilave u janë hequr vizat vazhdojnë t’i plotësojnë kushtet. Komisioni Europian raportoi në dhjetor të vitit 2018 se Shqipëria i plotëson këto kushte. Znj.Van Torenurg dhe disa deputetë të tjerë nuk donin ta dëgjonin as këtë argument. Në fakt, e kthyen debatin në komedi. Ata nuk donin t’ia dinin se çfarë thoshte ministri i partisë së tyre. Nuk po e dëgjonte njeri, dhe aq më pak ata që kishin kërkuar ta dëgjonin e që kishin propozuar të ktheheshin vizat për Shqipërinë.
Kjo çështja e vizave të Shqipërisë po e destabilizon pak Holandën, sepse po tregohet që deputetët thjesht i lënë faktet mënjanë, pa i marrë parasysh, dhe kjo nuk mund t’i shërbejë imazhit të parlamentit.
Ishte një mbrëmje e keqe për demokracinë holandeze, por ka ende kohë për të reflektuar. Mocioni mund të tërhiqet. Edhe pse kjo pak gjasa të ndodhë, pasi do të turpëroheshin. Veç kësaj, kanë edhe dëshirën e fortë për të shënuar pikë në mënyrë populiste, pak para zgjedhjeve të parlamentit europian.
Shkrimi i Robert Bosch, ish-ambasador i Holandës në Shqipëri dhe Kosovë, për median holandeze BNNVARA.