Opinione Hemorragjia e shpresëhumburve

Hemorragjia e shpresëhumburve

Çapajev Gjokutaj

Dy plagë hemorragjike rrezikojnë ta zhysin vendin në lëngatë. Njëra është emigracioni, tjetra humbja e shpresës.

Emigracioni ta sjell më lehtë në mendje hemorragjinë. Gjaku rrjedh, ikën nga trupi duke shkaktuar dobësi e fikje graduale. Edhe emigrantët ikijn, largohen. Dhe janë përgjithësisht të rinj. Bashkë me ta ikën dhe një pjesë e konsiderueshme e energjisë dhe e vitalitetit.

Humbja e shpresës nuk ta sjell aq ndërmend hemorragjinë, madje ngjan si plagë më e lehtë krahasuar me emigracionin. Por, parë në thellësi, rezulton e kundërta.

Humbja e shpresës është edhe më zi, sjell pasoja shumë më të kobshme sepse krijon një masë inerte njerëzish dhe e godet shoqërinë në pikën më nevralgjike: rrit indiferencën, dobëson bashkëveprimin shoqëror dhe lidhjet e solidaritetit. Pa bashkëveprim e solidaritet shoqëria dhe kombi kthehen në fjalë boshe.

Emigracioni vërtet largon rininë, por ka edhe disa të mira. Remitancat apo paret që të ikurit dërgojnë tek prindërit a të afërmit e zbusin sadokudo varfërinë. Shumica e emigrantëve, duke jetuar e punuar në shoqëri më të përparuara, ndryshojnë, edukohen e trainohen dhe, në një mënyrë a tjetrën, i përcjellin këto vlera edhe tek të afërmit që jetojnë këtu. Bëhen kështu faktor zhvillimi e integrimi.

Përkundrazi, shpresëhumburit, duke mos besuar në të ardhmen e shoqërisë, na tërheqin pas drejt individualizmit dhe drejt lidhjeve fisnore, klanore e nepotike që kanë qenë dhe mbeten ndër pengesat e mëdha të modernitetit tonë të vonuar.

Një popull që humbet besimin tek institucionet, tek partitë politike, tek elitat dhe tek tjetri, i ngjan një banke në falimentim. I vetmi ndryshim është tek shpejtësia. Banka që humbet besimin rrënohet e falimenton shpejt e shpejt, shoqëria ngadalë, por mbetet gjithë kohën në lëngatë.

Këto i dimë, do thonë shumë prej jush. Problemi që meriton të diskutohet është se ç’duhet bërë për të shpëtuar nga kjo lëngatë në rritje të vazhdueshme.

Mbase do filluar nga një gjë e vogël: secili të bëjë detyrat e qytetarit aktiv e ta kërkojë këtë edhe nga ata që ka pranë.

Mbase s’do të ishte keq që, herë pas here, por me karar dhe jo nga mëngjezi në darkë, të kujtonim edhe Faik benë kur, për çdo të papritur formulonte epitafin e Shqipërisë: “lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët.”

Sa më pak të dalldisemi pas luftës permanente politike që zhvillojnë partitë e sotme të dalaboje, sa më shumë të kontribuojmë për axhenda qytetare, aq më e madhe bëhet mundësia që pishtari i shpresës të mos kthehet në qiri përshpirtjesh.