Loja ka përfunduar! Presidenti amerikan Donald Trump ka postuar në Twitter një foto të frymëzuar nga “Game of Thrones”, ku shkruhej “loja ka përfunduar”, duke e shpallur kështu veten tërësisht të pastruar nga akuzat për përzierje të Rusisë në zgjedhje dhe pengim të drejtësisë.
Ky reagim erdhi pasi kryeprokurori amerikan doli para gazetarëve, për të bërë publike përfundimet e hetimit të drejtuar nga Robert Mueller.
“Jo pengim të drejtësisë, jo përzierje me Rusinë. Nuk ka pasur asnjëherë dhe as nuk do të ketë”, tha Trump.
William Barr tha se nuk ka prova të mjaftueshmë që të vërtetojnë se Donald Trump ka penguar drejtësinë, gjatë hetimit për përzierjen e supozuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Ai përsëriti atë çfarë nënvizonte raporti se, as presidenti amerikan dhe as drejtuesit e fushatës së tij nuk kishin bashkëpunuar me Moskën në përpjekje për të ndikuar në zgjedhje.
“Ashtu siç bën të qartë raporti i këshilltarit të posaçëm, qeveria ruse u përpoq të ndërhynte në zgjedhjet në SHBA, por falë hetimit, ne tani e dimë se operativët rusë që hartuan këto skema nuk kanë bashkëpunuar me presidentin Trump apo fushatën e tij”, tha William Barr, kryeprokuror i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Por, kritikët kanë nënvizuar se Barr, zyrtari më i lartë i ligjit në SHBA dhe i emëruar nga Trump, është shumë i anshëm. Konferenca për shtyp erdhi para publikimit të versionit të redaktuar të raportit të Muellerit, ndërkohë që demokratët kanë kërkuar që vet Mueller të dalë para tyre për të dhënë detaje.