Kryesore Kryemadhi: Shqipëria e mbytur nga varfëria, nesër t’u bashkohemi studentëve

Kryemadhi: Shqipëria e mbytur nga varfëria, nesër t’u bashkohemi studentëve

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi vijon turin e takimeve me strukturat e partisë në rrethe.

Pogradeci dhe Korça janë destinacionet e kryetares së LSI-së për këtë të diel, teksa para pak minutash Kryemadhi ka folur para strukturave të partisë në qytetin liqenor.

Protesta e studentëve si reflektim i gjendjes së vështirë ekonomike dhe lidhjet e forta të qeverisë me oligarkët, kanë qenë në themel të fjalës së kryemadhit para anëtarëve të LSI-së në Pogradec.

“Gjithë Shqipëria është e mbytur nga varfëria dhe protesta e studentëve reflekton gjendjen e vërtetë ekonomike të familjeve shqiptare. Qeveria po shkreton vendin duke u dhënë paratë emigrantëve dhe duke vrarë të ardhmen për rininë”, tha mes të tjerash Monika Kryemadhi në Pogradec.

Ndërkohë, më vonë në qytetin e Korçës, Monika Kryemadhi u bëri thirrje qytetarëve korçarë, por edhe atyre në të gjithë Shqipërinë, që t’i bashkohen nesër protestës së studentëve në kryeqytet.

“Nesër të gjithë ju duhet të vini në Tiranë, të merrni me vete edhe të afërm e familjarë tuajt, për të mbështetur studentët në protestën që nuk është vetëm e tyre, por e gjithë shqiptarëve. është protesta për të shporrur qeverinë e krimit nga pushteti, ndaj duhet të jemi të gjithë atje”, tha Kryemadhi.

Në fund të fjalës së saj, kryetarja e LSI-së u bëri një apel qytetarëve korçarë që të besojnë në zot, sepse do të vijë edhe dita e shpërblimit për ta dhe për të gjithë shqiptarët.