Kryesore Pas 112 vitesh, shkaba e zezë rikthehet në Shqipëri (FOTO)

Pas 112 vitesh, shkaba e zezë rikthehet në Shqipëri (FOTO)

Shkaba e zezë (Aegypius monachus) është rishfaqur në Shqipëri duke ringjallur shpresat për rivendosje të saj në vend.

Raportimet për praninë e këtij lloji në Shqipëri, sipas literaturës ekzistuese, kanë qenë tejet të rralla duke dëshmuar se prania e saj ka qenë thuajse e pazakontë.

“Në 1857, Lilford jep të dhëna për praninë e shkabës së zezë në Butrint (Sarandë). Ekzaktësisht gjysmë shekulli më vonë, Lodge (1907) raporton se ka parë një shpend të tillë në Durrës. Shumë vite më pas, fillimisht Zeko në 1963 dhe më vonë Nowak në 1989 konfirmojnë praninë e këtij lloji si të përhershëm, por pa ofruar të dhëna specifike mbi shpërndarjen dhe madhësinë e popullatës.

Tanimë, pas afro 112 vitesh, dy individë, të këtij lloji të pajisur me gjurmues satelitor kanë vizituar vendin tonë në dy data të ndryshme:

Fillimisht, me 29 mars në Shqipëri kalon “Chrysoula”, një individ i ri markuar në nëntor 2017 në Dadia, Greqi nga Autoritetet Menaxhuese të Parkut Kombëtar, WWF-Greqi dhe Shoqata Bullgare për Mbrojtjen e Shpendëve (BSPB) në kuadër të projektit “Ruajta e shkabës së zezë dhe shkabës në zonën ndërkufitare të Maleve të Rodopit”. “Chrysoula” hyri në Bilisht, kaloi mbi Ostrovicë dhe Memaliaj, iu afrua qytetit të Vlorës dhe zbriti në jug nëpër lumin e Vlorës deri sa kaloi në Greqi.

Pak ditë më vonë, më 23 prill 2019, shfaqet në Shqipëri “Riga”, një tjetër shkabë e zezë, lëshuar në vitin 2018 në Kotel, Bullgari nga Fondi për Florën dhe Faunën e Egër, në kuadër të projektit “Rikthim i Shkabave”. Riga erdhi nga Konica, në Greqi, kaloi në Përmet nëpër luginën e Vjosës, përshkoi pjesën lindore të Shqipërisë për të kaluar në Kukës e më pas në Prizren (Kosovë), qëndroi në Uvac, Serbi dhe u kthye serish në Kotel, Bullgari. 

Tashmë përpjekjet për mbrojtjen e shkabave janë rritur ndjeshëm në të gjithë Ballkanin përfshirë Shqipërinë. Shkaba dikur të menduara të zhdukura sot po shfaqen sërish. Por gjendja e tyre është ende e vështirë Do të duhen plot punë e përpjekje të tjera për t’i rikthyer ato në gjendjen e mëparshme. Ne do të vazhdojmë te punojmë për të siguruar rikthimin e tyre sa më të shpejtë dhe për këtë nevojitet kontributi i gjithsecilit”, shkruan në Facebook “Protection and Preservation of Natural Environment in Albania”.