Milani i Xhenaro Gatuzos po kalon një moment të vështirë në kampionatin italian, teksa humbja e fundit ndaj Torinos, i ka zbritur kuqezinjtë në vendin e 7-të duke iu larguar gjithmonë e më shumë zonës Champions.
Nëpërmjet një rrëfimi special në mediat italiane, Rino tregon se si kanë ndryshuar kohërat nga momenti që ai ishte futbollist i kuqezinjve edhe deri më sot. Në intervistën e tij, Gatuzo kujton edhe ditën e parë të stërvitjes me 7 herë fituesit e Championsit si për sekretin e atij grupi historik.
“Mendoj se ajo që ka shpëtuar Milanin ndër vite ka qenë respektimi i rregullave. Pak herë i është dashur të ndërhyjë Galianit, madje ishim ne që i shkonim në zyrë dhe e detyronim të ndërhynte. E respektonim historinë e klubit, sot është më e vështirë. Mentaliteti i lojtarëve ka ndryshuar. Sot duhet të tregohesh i kujdesshëm, më parë duhet të mbyllje gojën.
Sot, gjërat kanë ndryshuar. Një trajner ka nevojë për futbollistë të gatshëm për sakrifica, për t’u përmirësuar dhe për të dhënë diçka më shumë. Sot duhet të tregohesh i kujdesshëm kur i thua diçka djemve. Fillojnë menjëherë të ankohen dhe të krijojnë alibi. Kanë ndryshuar gjërat e vogla në dhomat e zhveshjes.
Dikur mund të dëgjoje vetëm muzikë italiane. Tani qeshin nëse e dëgjojnë diçka të tillë. Ka vetëm gjëra të huaja, hip hop, të gjithë me kufje dhe ndoshta shikojnë edhe ndeshjet angleze dhe spanjolle që luhen në orare të ndryshme.
Ditën e parë në Milanelo u rruajtja dhe lashë nja dy qime në lavaman. Mora dy goditje kokës nga Kostakurta dhe e kuptova menjëherë se çfarë mentaliteti ekzistonte te Milani. Galiani tentoi të më bindte për të qëndruar akoma kur u largova si futbollist, por nuk ndihesha më rehat, nuk flisja më gjuhën time. Shumë personave nuk iu pëlqente më ajo çfarë thonim unë, Ambrozini dhe Abiati. Sot jetojmë në një epokë tjetër.
Sot çdokush mendon për vete, por ka një problematikë që e kanë të gjithë në Serie A. Në vitin 1999 nuk dëgjohej muzikë në dhomat e zhveshjes dhe të gjithë ishin të përqendruar. Si trajner kam provuar ta heq. Më bezdis shumë, por çfarë t’i bëj faktit që të gjithë e duan. Më parë qëndronim grup dhe kalonim për mrekulli. Sot zhduken një nga një sapo mbarojnë së ngrëni.
Së pari çdokush duhet të jetë i qëndrueshëm, edhe jashtë fushave. Talenti nuk mjafton kurrë. Kampion bëhet dikush që nuk humbet asnjë stërvitje, që është i qëndrueshëm, që arrin gjithmonë në orar, që bën punën e tij në 360 gradë dhe që respekton çdo rregull.
Prandaj e përsëris gjithmonë që Maldini ka qenë më i forti në botë, sepse bëhej gjithmonë copash. Ai merrte 1-2 aulina në ditë për të mos humbur asnjë stërvitje.
Mund të kishte jetuar për mrekulli nga të ardhurat që fitonte, por nuk hoqi dorë kurrë nga asgjë. Paolo është lojtari më i fortë më të cilin kam luajtur ndonjëherë. Ky ishte sekreti i atij grupi historik. Një rregull respektohej dhe pike”, tregon Gatuzo në rrëfimin e tij.