Bota Pse Rusia është kthyer në blerësin më të madh të arit në...

Pse Rusia është kthyer në blerësin më të madh të arit në botë?

Bankat qendrore në mbarë botën, në tremujorin e parë të vitit 2019 blenë sasinë më të madhe të arit në gjashtë vitet e fundit, ndërsa Rusia siguroi udhëheqjen në këtë zhvillim financiar, pasi kërkon të zvogëlojë varësinë ndaj dollarit.

Rezervat globale të arit u rritën me 145.5 ton nga fillimi i vitit deri në fund të marsit, një rritje prej 68% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Kjo përbën rritjen më të madhe në rezervat globale për këtë periudhë që nga viti 2013, sipas raportit më të fundit të Këshillit Botëror të Arit.

Banka e Rusisë, në tremujorin e parë shtoi në kasafortat e saj 55.3 ton ar, duke çuar në posedimin e rezervave më të mëdha, në afro 2,168.3 tonelata. Kjo e bëri Rusinë blerësin më të madh të arit në botë – thuhet në raport.

Rusia ka blerë 274.3 ton ar në vitin 2018, duke reduktuar në mënyrë drastike posedimin e bonove amerikane, si pjesë e përpjekjeve të saj për të diversifikuar rezervat valutore në dollarë – thotë Këshilli Botëror i Arit.

Pas Rusisë është Kina në vend të dytë, pasi bleu 33 ton ar në tremujorin e parë.

Në dhjetor të vitit 2018, Pekini zyrtar përsëri filloi të blinte ar pas më shumë se dy vjet pushim.

Dhe disa vende të tjera në mënyrë të konsiderueshme po rrisin rezervat e tyre të arit, ku veçojnë Ekuadori, Turqia, India dhe Kazakistani.

Dëshira për të blerë metalin e çmuar u shkaktua nga pasiguria ekonomike, e kjo prej tensioneve në tregtinë ndërkombëtare – vlerëson raporti.

Rusia është aktualisht e pesta në botë për rezervat e arit.