Një 28 vjeçar shqiptar, babai i dy fëmijëve të vegjël, ka ndërruar jetë dje në mëngjes, në spitalin e Cisanello, Itali. Shqiptari Manuel Qehaj 28 vjeç, prej disa muajsh kishte marrë restorant-piceri “La Greppia”, tek kryqëzim midis rrugës Pratale dhe Calcesana.
Por një aksident automobilistik i kushtoi jetën të riut. Ngjarja ka ndodhur të premten në mbrëmje, ndërsa Manueli po ngiste mjetin e tij në kryqëzimin Calcesana, ku ndodhej pak metra nga biznesi i tij, raporton “Il Tirreno”. Një makinë, e drejtuar nga një grua, duke u kthyer në drejtim nga Condotti, u përplas me makinën e Qehajt, i cili po shkonte tek biznesi i tij.
“Ku është Manuel? Ai nuk po u përgjigjet telefonatave të mia. Zakonisht ai duhet të ishte këtu tani. A ka ndodhur diçka me të?”, Këto ishin fjalët e gruas së tij e cila ishte e mbytur nga dëshpërimi dhe ende nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur me burrin e saj.
Gruaja e tij 25-vjeçarja, Mikela Lala bashkë me të dhe dy fëmijët kishin dëshirë për të patur sukses duke ngritur edhe një biznes të vogël. Për rreth 12 vjet ai kishte punuar në piceri ku vetëm disa muaj më par ishte bërë pronar i një picerie. Ai kishte ngritur biznesin e tij, i shoqëruar nga gruaja e tij me entuziazmin për të ndërtuar një jetë të mirë.
Qehaj, la gruan dhe dy fëmijët e vegjël. Një familje e shkatërruar, të afërmit dhe miqtë e të cilëve janë mbledhur për ngushëllime, ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar për të përcaktuar dinamikën e saktë të aksidentit rrugor.
Gjyqtari në detyrë Fabio Pelosi urdhëroi konfiskimin e automjeteve dhe bërjen e ekspertizës së trupit të viktimës, i cili është në morgun e Santa Chiara. Nesër familja do të tërheqë trupin e të ndjerit për t’i dhënë lamtumirën e fundit.