Vetëm një i çmendur ose një gjeni mund të ndërtojë skuadra të tilla dhe të korrë përmbysje si ajo e djeshmja. Ose ndoshta Klop është edhe pak i çmendur, edhe pak gjeni…
Po çfarë ndodhi sipas tij në mbrëmjen e djeshme? “U thashë djemve të tregoheshin seriozë, por edhe ‘të pacipë’…”, thotë trajneri gjerman i Liverpulit pas ndeshjes.
“Kjo ishte e tepërt! Ishte e papërballueshme emocionalisht. Luajtëm ndaj ekipit më të mirë në botë. Të fitosh është e vështirë, por të fitosh pa pësuar gol, kjo është e pabesueshme!
Duhet të ishim seriozë, por edhe dinakë. Ishte e nevojshme. Barcelona mbrohet mirë, prandaj duhet të ishim të paparashikueshëm. Goditjen e këndit te goli i katërt nuk e pashë fare, ndërsa asistenti im më pyeti se çfarë kishte ndodhur.
Ora është 11:30, fëmijët kanë fjetur. Më gjobisni nëse doni, por këta djem ishin “fucking unbelievable” (të pabesueshëm)”.
Si mund ta përshkruani këtë ndeshje?
E gjithë loja ishte pak tronditëse. Mendoj se kemi luajtur ndoshta kundër skuadrës më të fortë në botë dhe të fitosh ndaj Barcelonës është gjithnjë e vështirë. Por të fitosh me portën të paprekur, këtë nuk di ta shpjegoj. Nuk e di si ia bënë djemtë e mi që ia dolën mbanë.
A keni përjetuar ndonjëherë emocione kaq të forta?
Pashë Xhejms Milerin të qante pas ndeshjes. Kjo do të thotë shumë për ne. Është realisht shumë domethënëse, sepse duhet ta pranojmë se kjo është edhe pjesa më e bukur e futbollit. Natyrisht, ka gjëra më të rëndësishme në botë, por të krijosh një atmosferë emotive është shumë speciale. Është meritë e të gjithë futbollistëve.
A ka një shpjegim kjo përmbysje? Si ia dolët mbanë?
Na u desh të ishim seriozë. Por na u desh të ishim edhe të pacipë. Ishte e nevojshme.
Që do të thotë?
Do të thotë se Barcelona u mbrojt mirë dhe arriti të mbyllej mirë kur aksionet tona ishin të parashikueshme. Por ne duhej të tregoheshim të paparashikueshëm hera-herës, ky ishte plani ynë. Në fund, nuk pashë që të gjuhej një korne dhe Ben Vudburn më pas tha: Çfarë po ndodh kështu?
A ishit ju superiorë ndaj Barcelonës?
Jo, nuk besoj se ishim edhe aq superiorë ndaj tyre, por nuk meritonim të humbnim aq thellë në Barcelonë. U thashë djemve që të bënin të njëjtën gjë si në Barcelonë, por duke i shumëfishuar sakrificat e tyre në fushë, sidomos në presingun që duhej të bënim në mesfushë.
A ishte kjo ndeshja më e mirë në karrierën tuaj si trajner?
Është një ndër tri ndeshjet më të mira në karrierën time. Pa dyshim që po.
A mendonit vërtet se mund të shkonit në finale pa Salah dhe Firminon, ndërkohë që kishit përballë Barcelonën dhe ndeshjen e parë e kishit humbur 3-0?
Dua të jem i sinqertë dhe të pranoj se kjo skuadër ka një potencial të pashpjegueshëm. Është një ndërthurje e forcës dhe talentit që unë kurrë nuk e kam parë më parë.
Origi dhe Shaqiri nuk kanë luajtur shumë kohët e fundit dhe nuk mendova se do të bënin një paraqitje të këtij niveli. Ishte shumë e rëndësishme për të gjithë dhe ata e kuptuan se duhej të sakrifikonin shumë. Sinqerisht, është vërtet kaq e bukur dhe kaq e ëmbël kjo që kemi bërë… Dua ta shijoj deri në fund.