Sport Mourinho kritikon Ajax: Luajti sikur po përballej me Vitesse…

Mourinho kritikon Ajax: Luajti sikur po përballej me Vitesse…

Jose Mourinho evidenton këmbënguljen e Ajax për t’i mbetur fanatik filozofisë së vet të futbollit, çka ka kontribuar në eliminimin dramatik të mbrëmshëm nga Liga e Kampionëve. Gjigantët nga Amsterdami kaluan në epërsi të dyfishtë në pjesën e parë të gjysmëfinales së kthimit kundër Tottenham, falë golave të Matthijs de Ligt dhe Hakim Ziyech, por u përmbysën nga tre gola të “Spurs” në 45 minutat e dyta të sfidës.

Mourinho mendon se ishte momenti për të hequr dorë nga stili i tyre i zakonshëm sulmues dhe për të adoptuar një qasje më difensive, për të mbrojtur punën e bërë në pjesën e parë: “Filozofia është ajo, që e bën një ekip të rritet. Ju keni nevojë për një stil të përshtatshëm, referuar cilësive të lojtarëve që posedoni. Ajax meriton të gjitha “kreditet” për këtë.

Sidoqoftë, futbolli është një betejë sportive dhe në beteja nevojiten strategji për t’i fituar ndeshjet. Kjo vlen sidomos për ndeshje të veçanta. Ju duhet ndonjëherë që të hiqni dorë edhe nga filozofia juaj e të luajturit për ta fituar një ndeshje futbolli. Gjëja themelore është që të ruani ekuilibrin gjithë kohës, kurrë të mos zhbalancoheni.

Ekuilibri fillon me vijën mbrojtëse dhe pas kësaj një numër i caktuar i lojtarëve gjithmonë pas topit. Ajax u mbërthye në filozofinë e vet, luajti në pjesën e dytë si kundër Vitesse në kampionatin holandez. Tottenham ndryshoi, e aplikoi shumë mirë futbollin e drejtpërdrejtë. Anglezët ishin edhe me fat, i kishin zotat e futbollit me vete. Megjithatë, e ndoqën atë fat”.