E veçanta e zgjedhjeve lokale në Greqi dhe e atyre për Parlamentin Europian më 26 maj është fakti se për herë të parë, jo vetëm që do të votojnë një numër i madh emigrantësh, tashmë edhe ligjërisht pjesë e shoqërisë greke, pasi kanë marre nënshtetësinë, por shumë prej tyre janë edhe kandidate të formacioneve të ndryshme politike apo administrative.
“Me datë 26 maj zhvillohen zgjedhjet pikërisht për Parlamentin Europian. Unë jam një nga kandidatet e vetme që dal nga komuniteti shqiptar dhe mundësisht me votën e shqiptarëve, unë t’i përfaqësoj ata në nivel të Bashkimit Europian”, tha Eda Gemi, kandidate për Eurodeputete e Lëvizjes për Ndryshim.
“Është një hap shumë i madh. Fitoi demokracia, fitoi këmbëngulja jonë. Fitoi e drejta jonë për tu përfaqësuar shqiptarët si në pushtetin vendor, kështu dhe në atë qendror”, tha Anila Rezhda, kandidate për këshilltare në bashkinë e Selanikut.
Të mbledhur në Selanik, duke folur herë në shqip dhe herë në greqisht disa prej kandidatëve në këto zgjedhjeve kanë shpalosur mendimet e tyre dhe qëllimin se përse kandidojnë.
“Problemet me të cilat do të doja të përballesha në administratën lokale këtu në Selanik janë filantropia, kujdesi për kafshët dhe çdo gjë që ka lidhje me fëmijët dhe me sigurinë në qytetin tonë”, tha Kristina Sulilari, kandidate për këshilltare në bashkinë e Selanikut.
“Duam që të jetë edhe zëri unë në Këshillin Bashkiak dhe të na dëgjojnë”, tha Loreta Spaho, kandidate për këshilltare në bashkinë e Selanikut.
“Pas 3 dekadash erdhi ora e gruas shqiptare që të përfaqësojë në këto votime demokracinë dhe të dëgjohet zëri jonë anë e mbanë, si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi”, tha Ana Keti Çela, kandidate për këshilltare në bashkinë e Neapolit
Pas gati tre dekadash emigrimi dhe peripecish burokratike për dhënien e nënshtetësisë, tashmë më shumë se 200 000 emigrantë shqiptarë dhe minoritare kanë të drejtën e votës dhe të drejtën për tu zgjedhur në Greqi./TCH