Suksesi 3-1 i Liverpoolit ndaj “Djajve të Kuq” rezultoi të ishte goditja fatale për fatin e Jose Mourinhos, në stolin e Manchester United. Klubi anglez vendosi për shkarkimin e “The Special One”, pasi renditet plot 19 pikë poshtë “The Reds” në tabelën e Premier League.
Pas startit zhgënjyes të sezonit me një grup që nuk arriti dot të nxirrte potencialin dhe talentin që disponon, largimi i Murinhos nga “Old Trafford” ishte i pritshëm. Gjithsesi, me teknikun portugez solidarizohen edhe emra më peshë të stolit. I tillë është dhe prononcimi i gjermanit të Liverpoolit, Jurgen Klopp, që nuk ngurron të shprehë gjithë mbështetjen për 55-vjeçarin.
“Mourinho u gjend në një situatë aspak komode, ku i duhej të mbronte aftësinë e tij menaxheriale, pavarësisht një të shkuare që ulëret për sukseset e tij. Klima tek United u bë mbytëse për të, por askush nuk mund të mohojë, diskutojë dhe vërë në dyshim taletin dhe aftësitë e tij të jashtëzakonshme. Mourinho është një njeri shumë ambicioz dhe kompetitiv. Gëzon gjithë respektin tim, për gjithçka ka bërë.”
Monologut me nota vlerësuese për portugezin i bashkëngjitet edhe spanjolli Pep Guardiola, një rival i përjetshëm i Mourinhos si na La Liga ashtu edhe në Premier League.
Pas rrëzimit nga froni i “Djajve të Kuq” tashmë që kjo skuadër rrezikon seriozisht mospjesëmarrjen në edicionin e radhës të Champsions Leagues. 47-vjeçari Guardiola gjithsesi kërkon të vërë theksin te karakteri i fortë i portugezit, pasi një trajner, siç pohon ai, është i vetëm si në sukses ashtu dhe në disfatë.
“Kur ndodhin gjëra të tilla unë rreshtohem gjithnjë kah trajnerëve. Shkarkimi vjen kur rezultatet mungojnë. Klubet na kontaktojnë dhe projektojnë tek ne ambiciet e tyre për fitore, por askush nuk e di gjithë kalvarin e përjetimeve të një tekniku. Nga këto pozita unë jam me Mourinhon. Ai ka gjithë mbështetjen time dhe jam i bindur se me forcën e karakterit dhe eksperiencën e jashtëzakonshme që zotëron do të rikthehet shumë shpejt edhe më konkurrues së më parë.”