Kryesore Zgjedhjet e 30 qershorit, PD-LSI nxitojnë të dorëzojnë listat e komisionerëve

Zgjedhjet e 30 qershorit, PD-LSI nxitojnë të dorëzojnë listat e komisionerëve

Edhe pse kanë deklaruar se nuk do të jenë pjesë e zgjedhjeve të 30 qershorit, degët lokale të PD dhe LSI kanë nxituar gjatë ditës së premte, thuajse në të gjitha KZAZ-të e vendit për të dorëzuar listat me emrat e komisionerëve për në qendrat e votimit.

Duke qenë se data 31 maj është afati i fundit për regjistrimin e komisionerëve, opozita e bashkuar jo parlamentare ka dashur të respektojë këtë afat ligjor edhe pse ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Disa KZAZ nuk kanë pranuar fare që të marrin në dorëzim listat e PD dhe LSI, ndërsa disa të tjera, si në Shkodër, Selenicë apo edhe në Korçë i kanë pranuar listat e dorëzuara nga PD dhe LSI, por ende nuk janë shprehur me vendim nëse do t’i pranojnë kandidatët e opozitës si komisionerë të qendrave të votimit.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më herët, nuk pranoi të regjistronte anëtarët e opozitës në KZAZ, për sa kohë ato nuk janë regjistruar si subjekte politike në zgjedhjet e 30 qershorit.