Grekët u rikthyen sot në qendrat e votimit për të zgjedhur kryetarët dhe zyrtarët lokalë, opozita e së djathtës parashikohet të jetë një hap larg fitores së shumicës së rajoneve përballë së majtës së Aleksis Cipras, pesë javë përpara zgjedhjeve legjislative të 7 korrikut.
Qendrat e votimit në të gjithë vendin u hapën rreth orës 04:00 GMT dhe pritet të mbyllen rreth orës 16:00 GMT. Rezultatet e para të pjesshme për bashkitë më të mëdha të vendit, Athinë dhe Selanik do të publikohen para orës 19:00 GMT, sipas analistëve.
Të dielën e kaluar, pas disfatës në zgjedhjet europiane, Aleksis Cipras, kryeministër dhe lideri i së majtës Syriza, njoftoi zgjedhje të parakohshme më 7 korrik, tre muaj më herët sesa ishte parashikuar.
Konservatorët e Demokracisë së Re (ND) e drejtuar nga Kiriakos Micotakis fituan 33,12% të votave, me mbi 9 pikë përpara përballë Syriza-s.
Në raundin e parë të zgjedhjeve rajonale dhe lokale që përkuan me zgjedhjet europiane të 26 majit, ND fitoi pesë rajone në veri dhe qendër të vendit kundrejt vetëm një të fituar nga e majta, ishulli i Kretës (jug).
Marrë në konsideratë sondazhet, ND-ja pritet të fitojë pjesën më të madhe të 13 rajoneve të vendit, sipas analistëve.
“Po rikthehet shpresa, kjo është hakmarrja kundër populizmit të Aleksis Cipras”, lexohej në faqen e parë të gazetës opozitare së të dielës ”To Vima”.