Kryesore Si shkarkohet Presidenti dhe Kushtetuesja si “shpëtim” për Ilir Metën

Si shkarkohet Presidenti dhe Kushtetuesja si “shpëtim” për Ilir Metën

Për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar, Parlamenti do të nisë të enjten procedurat për shkarkimin e një presidenti.

Nenit 90, pika 2 të Kushtetutës, parashikon që Presidenti mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë.

“Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij”, thuhet në këtë dispozitë. Ndërsa neni 90/ 1 i ligjit themeltar të shtetit përcakton se “Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij”.

Rregullorja e Kuvendit ka parashikuar një procedurë të posaçme për mënyrën se si mund të shkarkohet presidenti. Përveç shkeljes së rëndë të Kushtetutës ose të kryerjes së një krimi të rëndë, është parashikuar që shkarkimi të bëhet edhe në rast të pamundësisë për të ushtruar detyrën, kjo në rast se kërkohet nga komisioni hetimor që ngrihet për këtë çështje. Socialistët pritet ta fokusojmë kërkesën e tyre për shkarkimin e Metës si president në pjesën e parë atë të shkeljes së rëndë të Kushtetutës.

Neni 112 i Rregullores përcakton se kërkesa për shkarkim duhet të paraqitet me shkrim te Kryetari i Kuvendit dhe të përmbajë në mënyrë të motivuar dhe konkrete shkeljen e rëndë të Kushtetutës ose kryerjen e një krimi të rëndë. Me paraqitjen e propozimit, Kryetari i Kuvendit vë menjëherë në dijeni Kuvendin dhe Presidentin e Republikës.

“Kryetari i Kuvendit ia përcjell kërkesën dhe dokumentet shoqëruese të saj Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili brenda 15 ditëve i paraqet Kuvendit raportin dhe propozimin e tij për ngritjen ose mos ngritjen e një komisioni hetimor. Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u shprehur në Komision, Komisioni është i detyruar ta dëgjojë atë, duke i lënë një kohë të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes dhe dhënien e sqarimeve”, thuhet në pikën 2 të Rregullores.

E gjithë procedura mund të zgjasë për një javë, nëse futet me shpejtësi, ku Kuvendi zhvillon debat në seancë plenare jo më vonë se 7 ditë nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjor dhe në përputhje me kohën e përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve, sipas nenit 48 të kësaj Rregulloreje.

Për shkarkimin e Presidentit nevojiten votat e 93 deputetëve, pra të 2/3 të gjithë anëtarëve të Kuvendit, të 140 deputetëve. Në rast se Kuvendi rrëzon nëpërmjet votimit raportin dhe propozimin e paraqitur, procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës ndërpritet.

Kuvendi për të njëjtin motiv nuk mund të vendosë përsëri edhe nëse kërkesa paraqitet nga një grup tjetër deputetësh. Në rast se Kuvendi pranon nëpërmjet votimit raportin dhe propozimin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ngre brenda 2 ditëve një komision hetimor për këtë çështje.

Ky komision hetimor ka detyrimin që të thërrasë e të dëgjojë mendimin e Presidentit të Republikës në lidhje me propozimin e paraqitur. Sipas Rregullores, në mbyllje të procesit të hetimit, komisioni hetimor duhet t’i paraqesë Kuvendit në mënyrë të arsyetuar nëse ekzistojnë shkaqet për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Pas përpilimit të këtij raporti, Kuvendi brenda 20 ditëve në një seancë të posaçme shqyrtohet raporti i komisionit hetimor.

Por edhe në këtë rast Presidenti mund të mbrohet në seancën parlamentare, ku socialistët janë të detyruar ta dëgjojnë atë. “Kuvendi vendos për shkarkimin e Presidentit të Republikës me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij dhe me votim të fshehtë”, thuhet në Rregulloren e Kuvendit.

Por si në rastin e shkarkimit për shkelje apo krim të rëndë ashtu edhe në atë të pamundësisë së ushtrimit të detyrës fjalën përfundimtare e thotë Gjykata Kushtetuese, pasi kryetari i Kuvendit duhet ta dërgojë 5 ditë nga miratimi i tij.

Pikërisht mungesa e Gjykatës Kushtetuese është “shpëtimi” i Metës, i cili mund të detyrojë socialistët që frenojnë për disa kohë procedurat e shkarkimit të presidentit. Një variant tjetër është që mazhoranca mund të vendosë që të shkarkojë presidentin dhe të presë për vendimin final deri sa ngrihet Gjykata Kushtetuese, për të cilën socialistët thonë se do të jetë funksionale në korrik.

Neni 91 i Kushtetutës parashikon që kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij. Nëse zbatohet një skenar i tillë, i bie që kompetencat e presidentit t’i marrë kryeparlamentari Gramoz Ruçi. “Në rast se Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 ditë, Kuvendi, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë. Në rast të vërtetimit të pamundësisë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga dita e vërtetimit të pamundësisë”, thuhet në pikën dy të nenit 91 të Kushtetutës.