Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Bernd Borchardt në një prononcim për mediet theksoi se do të jenë institucionet shqiptare që do të duhet të zgjedhin se cila palë ka argumentet më të mira ligjore sa i përket zgjedhjeve.
“Kryesia jonë në detyrë bëri një deklaratë shumë të fortë për këtë javën që kaloi. Dhe kryesia e radhës së OSBE kur ishte këtu tha se sa i përket zgjedhjeve është çështje e brendshme e Shqipërisë. Tashmë kjo është bërë çështje e debatit të brendshëm. Jam besimplotë se institucionet shqiptare do të gjejnë se kush e ka argumentin më të mirë ligjor”, tha Borchardt për gazetarët i cili ishte i pranishëm në hapjen e ekspozitës në galerinë e Liceut Artistik “Jordan Misja”, me punime të nxënësve të kësaj shkolle, me temë korrupsionin.
Në lidhje me përshkallëziminin e krizës politike dhe deklaratë së Metës për përplasje nëse mbahen zgjedhjet, Borchardt tha se, “ne e kemi thënë shumë qartë që protestat dhe ngritja e zërit është e drejtë demokratike dhe këto përgjegjësi i kalojnë atyre që organizojnë këto lloj protestash dhe kanë përgjegjësi për dhunën e organizuar”.
Sa i përket nismës për shkarkimin e Presidentit, Borchardt tha se, “kjo është çështje e brendshme në Shqipëri për të vendosur. Që i përket parlamentit, Kushtetutës, dhe më pas Gjykatës Kushtetuese”.
I pyetur nëse ka zgjedhje më 30 qershor, Borchardt tha se, “institucionet shqiptare janë ato që duhet të marrin këtë vendim”.
I pyetur sesi duhet vepruar në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, Borchardt tha se, “janë pyetje të vështira dhe me pikëpamje të ndryshme ligjore, dhe patjetër që do ta shikojmë“.