Aktualitet Balluku interpelancë me banorët e Krujës: Në shtator nisim investimin për ujësjellësin...

Balluku interpelancë me banorët e Krujës: Në shtator nisim investimin për ujësjellësin e ri

Shqetësimi i banorëve të Krujës sa i takon problemit të furnizimit me ujë të pijshëm tashmë ka marrë rrugën e zgjidhjes. Garancinë e ka dhënë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila ju përgjigj interpelancës së thirrur nga një grup banorësh në platformën e bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al

Balluku garantoi se projekti për ndërtimin e rrjetit të ri ujësjellës në qytetin e Krujës është gati dhe në shtator do të nis puna në terren teksa u shpreh se ky investim do të përmbyllet brenda vitit 2020 duke siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për banorët e Krujës.

“Ne kemi vendosur të nisim menjëherë investimin. AKUM sëbashku me ekspertët e ministrisë tonë kanë hartuar planin e punës dhe ky investim do të nisi menjëherë në muajin shtator për të rehabilituar rrjetin dhe për t’ju ofruar ju shërbimin e ujësjellësit ashtu siç e meriton qyteti juaj dhe ashtu siç e meritojnë gjithë shqiptarët”, bëri të ditur Balluku teksa shtoi se ky projekt do të rrisë cilësinë e jetesës për 17500 banorë, do të nxisë edhe më tej zhvillimin e turizmit në zonë si dhe do të ndihmojë zhvillimin e biznesit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, sqaroi gjithashtu se projekti për ndërtimin e rrjetit të ri ujësjellës në Krujës është pjesë e projektit madhor që brenda vitit 2023, i gjithë vendit të ketë furnizimi të pandërprerë me ujë të pijshëm.

“Këto janë projekte që ne po i zbatojmë në pjesën më të madhe të vendit duke pasur synim që deri në 2023 ky të jetë një proces që të ketë përfunduar në të gjithë Shqipërinë ku uji të ofrohet 24 orë në 24 dhe synimi është që të kemi 150 litra ditore për banorë. Diçka që është në parametra teknik europianë dhe sigurisht duhet aplikuar dhe në vendin tonë i cili është një nga vendet më të pasura me burime ujore”, nënvizoi Balluku.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës dhe Mbetjeve, Alqi Bllako bëri të ditur detaje teknike sa i takon ujësjellësit të ri të qytetit të Krujës. “AKUM së bashku me ministrinë në kohë rekord hartoi një projekt teknik, ezaurues që do ti japë zgjidhje përfundimtare këtij problemi. Kemi identifikuar një burim të ri, sërish nga vargmalet e Skënderbeut i cili do të dyfishojë sasinë e ujit që do të vijojë për qytetarët e Krujës. Nga 25 litra në sekond që jemi sot do të shkojmë në 50 litra në sekondë”, tha Bllako.

Furnizimi me ujë për banorët e Krujës ka qenë një problem i trashëguar për katër dekada ndërkohë që deri më tani ndërhyrjet që i janë bërë rrjetit të transmetimit në këtë qytet kanë qenë vetëm për mirëmbajtjen dhe jo rikonstruksionin e plotë. Aktualisht, në periudhën korrik-tetor, qyteti i Krujës ka një furnizim 3-4 orë në ditë, ndërsa disa nga lagjet arrijnë dhe deri në 30 minuta në ditë ose në mungesë totale furnizimi me ujë.

Me investimin e ri garantohet furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm për periudhën nëntor – qershor, furnizimin me 16 orë ujë për periudhën e thatësirës (Korrik – Tetor), furnizimin me ujë zonës së Sarisalltikut, eliminimin e humbjeve në rrjet prej amortizimit dhe degradimit të rrjetit si dhe lidhjeve të paligjshme por do të rrisë dhe cilësinë e ujit.