Sport Nga Seria C në Shqipëri, rrëfehet trajneri i Partizanit: Nuk e humba...

Nga Seria C në Shqipëri, rrëfehet trajneri i Partizanit: Nuk e humba trenin!

Ish-trajneri i Torinos dhe disa skuadrave në Itali, Franco Lerda, që u prezantua ditën e hënë si trajneri i ri i Partizanit është më i motivuar se kurrë. Ai ka nisur grumbullimin në Slloveni me skuadrën kampione të Shqipërisë, për të përgatitur ndeshjet europiane, Champions dhe Europa League, sipas ecurisë.

Në një intervistë të dhënë për “La Stampa”, italiani ka rrëfyer përshtypjet, kundërshtarin “Qarabag” por edhe merkaton, zgjedhjen e tij dhe sidomos se si e gjeti grupin.

“Të hënën arritëm akordin dhe menjëherë nisa punën me futbollistët e mi të rinj. Koha nuk është e madhe, pasi duhet të përgatisim turin paraeliminator të Champions League kundër Qarabag dhe duam të mbërrijmë gati”.

Por, cilat janë përshtypjet e para?

“Kisha shumë dëshirë të kthehesha në fushë. Kthehem në stol për të bërë atë që është puna ime dhe për të parën herë stërvis jashtë kufijve të Italisë”.

A është një mundësi e madhe?

“Po! Kam diskutuar edhe me familjen dhe nuk doja ta humbisja këtë tren. Një eksperiencë jashtë vendit është motiv rritje, edhe kulturor për mua. Dua të luaj shanset mirë”.

Nga Serie C me Vicenza te Champions League në Shqipëri. Hap i madh?

“Në fillim kemi ndeshjet me Qarabag, nga data 9 dhe 16 korrik, do të luajmë kalimin e turit të parë kualifikues”.

Objektivi?

“Partizani po synon që të kalojë turin, që do të thotë më shumë resurse ekonomike. Pastaj, do të ishte edhe një imazh i bukur për futbollin shqiptar”.

Si do ta përgatisni këtë sfidë?

“Jemi në Slloveni dhe do të punojmë aty deri në korrik, më pas kthehemi në Shqipëri. Kam besim, edhe pse luajmë ndaj një ekipi që është më shumë i mësuar te fitoret në Europë. Por, përshtypjet e para janë pozitive. Skuadra nuk është ende e kompletuar, por do të përpiqemi ta plotësojmë për të qenë edhe më shumë konkurrues”.