Një gjykatë në Britani pritet të japë sot dënimin për Astrit Kapajn, shqiptarin i cili akuzohet se me grabitjet e tij, ka mundur të përfitojë një pasuri prej 5 milion paundësh.
42-vjeçari i martuar dhe pronar i një dyqani, jetonte në Altrincham të Manchesterit. Ai akuzohet se përgjatë një periudhe 10-vjeçare terrorizoi lagjet e pasura në jugperëndim të Londrës. Pre e grabitjeve të tij ranë edhe tenisti Boris Becker dhe futbollisti Nicolas Anelka.
Teksa doli para gjykatës së Kingston në Prill, ai pranoi 21 grabitje, bizhuteri e para kesh me vlerë 497 mijë paund, të cilat nuk u gjetën kurrë.
Megjithatë, sipas hetuesve, janë më shumë se 200 grabitje që përngjajnë me “punën” e shqiptarit, por ata nuk kanë mundur që ta lidhin 42-vjeçarin me këto raste.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur ditën e enjte, detektivët e përshkruan grabitësin shqiptar si “të disiplinuar dhe të duruar”. Ata thanë se ai ishte “i organizuar dhe diskret” dhe shpesh linte para dhe bizhuteri nga pas, në mënyrë që viktimat e tij të mos e kuptonin që ishin grabitur.
Ai ngjitej nga tubacionet e kullimit të ujit në mënyrë që të shmangte alarmin, lyente me bojë dritat me sensorë dhe për të fshehur fytyrën përdorte në copë. Viktimat kishin pushuar nga puna pastruese e kujdestare të fëmijëve, pasi besonin se ishin ato që qëndronin pas krimeve të shqiptarit.
Vetëm në vitin 2016, falë ADN-së, detektivët arritën ta lidhnin shqiptarin me grabitjet e kryera prej tij. “Ishte një makth logjistik”, tha detektivi Dan O’Sullivan.
Policia beson se bizhuteritë e vjedhura nga Kapaj mund të jenë shkrirë dhe shitur për kumar, pasi shtëpia e tij ishte ‘normale’ dhe shqiptari nuk bënte jetë luksoze. “Besojmë se i ka harxhuar vetë të gjitha, nuk ka prova që i ka shpenzuar paratë tek familja”, tha një oficer policie.
Për shkak të grabitjes së kryer në shtëpinë e tenistit Becker, hetuesit i kishin vënë edhe nofkën “Banditi i Wimbledon”.