Pasi refuzoi ftesën e Ilir Metës, Kryeministri Edi Rama thotë se Presidenti ka marrë drejtimin e opozitës dhe ndërhyn sa herë dështon kryedemokrati Lulzim Basha.
Në një takim me banorë të Njësisë Administrative Nr.4 në Tiranë, Rama deklaroi se Presidenti Meta “i fryu zjarrit” me veprimin e tij për anulimin e datës së zgjedhjeve.
I pyetur nga qytetarët nëse Presidenti mund të nxjerrë datë të re zgjedhjesh apo të shpërndajë Parlamentin, Kryeministri e konsideroi të pavlefshëm çdo lëvizje të tillë të Ilir Metës nëse ndodh.
Qytetar: Po Presidentin si e kemi z. Kryeministër?
Kryeministri Rama: Presidenti ka marrë drejtimin e opozitës, dështon Luli, ndërhyn Iliri. Është fatkeqësi e madhe për institucionin por s’kemi çfarë bëjmë. E thashë unë, erdhi dita që edhe Bujar Nishani të duket si Jefersoni. Habi e madhe. Kur bëmë marrëveshjen atëherë, që atëherë ishte e deklaruar nga të dy palët, edhe më kujtohet të nesërmen që po shkruanim pikat e marrëveshjes, ata të Presidencës na merrni në telefon, na dërgoni letrat me formë të përbashkët që jeni dakord për shtyrjen e zgjedhjeve. E kërkonte me shkrim për të bërë këtë ndryshim. Ky tjetri hapni vendin se do hidhem. Edhe i hodhi benzinë zjarrit me atë marrëzinë e çfirmosjes së firmës së vetë. Ju dha një motiv sado absurd po prapë për t’u kapur, këtyre që ‘ne do mbrojmë dekretin’. Sot e ka marrë përgjigjen shumë qartë ajo histori nga Kolegji Zgjedhor edhe është pa të drejtë ankimimi.
Qytetar: Mund të bisedojë me Lulin për të caktuar datë tjetër.
Kryeministri Rama: Mund të bëjë çfarë të dojë, është nul.
Qytetar: Nëse merr vendim për shpërndarje Parlamenti?
Kryeministri Rama: Ai mund të marrë vendim t’i shpallë luftë Amerikës dhe Bashkimit Europian, po çfarë domethënë kjo. Të gjithë njerëzit e kuptojnë. Pjesa dërrmuese e neverit këtë gjë, pjesa tjetër e kupton por ngaqë është në pozitë tifozlliku thotë hajt mo, por faktikisht është një marrëzi.