Aktualitet Policia sqaron sulmin ndaj Lubonjës: Makina është e të vëllait, agresorin e...

Policia sqaron sulmin ndaj Lubonjës: Makina është e të vëllait, agresorin e kanë fqinj

Policia e Tiranës ka reaguar sot në lidhje me sulmin ndaj një automjeti, që u pretendua se i përket analistit Fatos Lubonja.

Përmes një sqarimi për mediat, blutë e kryeqytetit sqarojnë se makina në fjalë ishte në përdorim nga vëllai i tij, A.L, i cili e ka identifikuar vetë agresorin.

Policia thotë se autori ka kryer edhe veprime të tjera të dhunshme pas asaj ndaj makinës së A. Lubonjës. Ndërkohë që institucioni në fjalë e cilëson si dashakeq përdorimin politik të rastit.

NJOFTIMI I PLOTË

Në përgjigje të zhurmës mediatike që po bëhet për dëmtimin e xhamit të automjetit të zotit F. Lubonja, Policia e Shtetit sqaron:

Më datën 1 korrik 2019, shërbimet e Komisariatit Nr. 2, pas marrjes së një njoftimi, u vunë në ndjekje të një personi që po kërcënonte me mjete prerëse disa kalimtarë. Në tentativë për t’u larguar, shtetasi A.H. theu me sende të forta xhamin e një mjeti të parkuar në hyrje të pallatit ku banonte. Agjentët arrestuan 50 vjeçarin, nga Tirana.

Ndaj tij bëri kallëzim për dhunë në familje edhe bashkëshortja, e cila deklaroi se ai vuante prej disa vitesh nga shëndeti mendor.

Për dëmtimin e mjetit bëri kallëzim shtetasi A.L, vëllai i zotit F. Lubonja, i cili deklaroi se ishte përdoruesi faktik i automjetit, se agresorin e kishte fqinj dhe se ky i fundit kishte shfaqur probleme mendore.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë për ”Dhunë në familje“, “Kanosje”, “Shkatërrim prone”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtje pa leje të mjeteve prerëse, të dyshuara si armë të ftohta”.

Me këtë rast, Policia e Shtetit hedh poshtë si të pavërteta dhe dashakeqe të gjitha insinuatat e bëra në drejtim të punës së saj, e cila, edhe në këtë rast, ka qenë plotësisht profesionale.