Edhe Napoli nisi përgatitjet në kuadër të sezonit të ri, teksa trajneri Carlo Ancelotti dha edhe intervistën e parë nga Dimaro, ku skuadra napolitane është grumbulluar.
Çfarë Napoli presim këtë vit?
Jam i bindur që do të jetë një Napoli më i mirë, pasi këtë vit kemi më pak të panjohura në aspektin taktik dhe do të provojmë të konsolidojmë pikat tona më të forta. Jemi skuadra që ka ndryshuar më pak dhe kjo na jep një favor, pasi po punojmë mbi bazat që hodhëm sezonin e kaluar dhe do të mundohemi të përforcohemi. Dua ta nisim këtë sezon, nga fitorja e bukur ndaj Interit, në javën e parafundit dhe të shohim përpara.
Keni marrë Manolas, që me Koulibaly pritet të bëjnë një dyshe shumë të fortë…
Duhet të falënderojmë fillimisht Albiol, për atë që ka dhënë për Napolin. Manolas është një mbrojtës shumë i fortë dhe teknik, që bashkë me Koulibaly mund të luajnë më përpara, sepse kanë aftësinë e duhur për të fituar duelet një kundër një.
A mund t’i japë diçka më tepër kësaj skuadre, James Rodriguez?
Cilësia e lojës është në varësi të ideve që zhvillojmë. James është një futbollist shumë i mirë, pro nuk është i Napolit dhe ndoshta nuk do të vijë asnjëherë. Shoqëria kërkon të përforcojë skuadrën dhe po studion zgjedhjet e duhura, ndërsa unë nuk kam dhënë miratimin për asnjë shitje deri tani. Nëse do të na paraqiten mundësi për të marrë futbollistë cilësorë, patjetër që do ndërhyjmë.
A është Napoli për titull?
Ne duhet të synojmë gjithmonë të fitojmë. Duhet të ngremë pretendimet tona, për të fituar diçka në fund të sezonit.
Do të të pëlqente Icardi?
Është një futbollist shumë i mirë, që pëlqehet edhe nga shumë të tjerë. Për Napolin do të ishte mirë që të vinin futbollistë të këtij kalibri, pasi do të rritnin besimin, megjithatë për momentin unë jam vetëm një adhurues i Icardit, si shumë të tjerë.
Si e shikoni Conten te Interi dhe Sarrin te Juve?
Më vjen mirë që Conte është rikthyer në Itali, pasi ka eksperiencë dhe do të shtojë edhe më shumë rivalitetin. Juve tashmë njihet nga të gjithë, pasi fiton prej 8 sezonesh në Itali, por besoj se ky sezon do të ketë më shumë rivalitet dhe më shumë cilësi.
Çfarë prisni nga merkatoja?
Do të doja të kishim një tjetër mesfushori të tipit Fabian Ruiz, që di të luajë në disa pozicione. Kemi tashmë Fabian dhe Zielinskin, por do të doja të kishim edhe një të tretë.