Policia e Shkodrës në kuadër të operacionit “IRON HAND” ka vënë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së ndodhur në Shkodër në 17.12.2017, ku mbeti i vrarë shtetasi A. Sh.
Policia bën me dije se shtetasi Artan Koçeku 29 vjeç, banues në fshatin Pog ishte duke qarkulluar me armë zjarri me fishek në fole në momentin e arrestimit.
“Ky person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në momentin e kapjes nga Forca e Posaçme “Shqiponjat”, ka tentuar të largohet me vrap, por është neutralizuar dhe shoqëruar në ambientet e D.V.P Shkodër. Për këtë shtetas në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 17. 12. 2017, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg“, njofton policia.
Sekuestrimi
Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonte Koçeku, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip “pistoletë” me fishek në fole dhe një krehër me fishekë që i përkiste një arme tjetër zjarri tip “pistoletë”.
Në momentin e arrestimit në automjet së bashku me Koçekun ishte edhe shtetasi Rr. D., 24 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” .
Vrasja e Angjelin Shkambit
Autori i krimit Artan Koçeku ka përfituar leje shpërblimi nga burgu i Peqinit ku vuante dënimin për ngjarjen e ndodhur në vitin 2013, për veprën penale “Vjedhja me armë”, nuk u paraqit në vendin e vuajtjes së dënimit në ditën e caktuar.
Në datën 17 dhjetor, Koçeku vrau me armë zjarri 35-vjeçarin Angjelin Shkambi, banues në Pulaj, Velipojë, Shkodër.
Ditën e ngjarjes mësohet se autori ka komunikuar në telefon me viktimën, duke lënë takim në varrezat e Stom Golemit. Aty palët janë konfliktuar me njëri-tjetrin brenda në makinë dhe gjithçka ka ardhur për shkak të një borxhi prej rreth 40 mijë eurosh që i kishte viktima Shkambi.
Në debat e sipër Koçeku ka nxjerrë armën e zjarrit tip pistoletë duke shtënë plot 3 herë në drejtim të Shkambit, e duke e lënë të vdekur në vend.
Më pas ai është larguar në këmbë përmes rrugicave, duke i ikur gjurmëve të policisë.
Artan Koçeku edhe në vitin 2018 është përfshirë në një konflikt me armë, dhe gjatë ndjekjes nga Policia, ka braktisur mjetin në fshatin Shtoj i Ri dhe ka mundur të largohet.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.