Policia ka dhënë detaje mbi tragjedinë në kanionin e Holtës në Gramsh ku humbi jetën pasditen e së dielës një vajzë e re 25-vjeçare.
Sipas një njoftimi të uniformave blu thuhet se personat që kishin humbur kontaktet në kanionet e Gramshit janë gjetur të gjithë nga policia dhe zjarrfikësit.
“Në dalje të kanionit një vajzë rreth 25 vjeçe nga Lushnja është gjetur e pajetë si pasojë e rrëmbimit nga rryma e fuqishme e ujit, ndërsa dy të tjerë nuk kanë probleme për jetën. Edhe personat e tjerë që u gjetën më parë nga policia nuk kane probleme për shëndetin. Në operacionin e kërkim-shpëtimit është përfshirë edhe RENEA me polumbarët e saj. Vijon krehja e zonës së kanioneve për tu siguruar që s’ka persona të tjerë që mund të kenë nevojë për ndihmë”, thuhet në njoftimin e policisë.
25-vjeçarja e identifikuar si Tila Sallaku ka qenë pjesë e një grupi turistësh shqiptarë prej 15 personash. Nuk dihen rrethanat se si grupi është ndarë. Policia u njoftua nga një telefonatë dhe fillimisht ka shpëtuar 4 fëmijë që ndodheshin në një zonë të rrezikshme. Më pas u gjetën edhe 3 persona të tjerë të mbetur në brendësi të kanionit.
Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako tha se shkak është bërë rritja e menjëhershme e nivelit të ujit.