Kandidati për Gjykatën Kushtetuese Ilir Mustafaj deklaroi se do të ankimojë vendimin e shkarkimit nga detyra që mori sot (18 korrik 2019) Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Në një prononcim për median menjëherë pas vendimit, Mustafaj nuk fshehu dot indinjatën ndaj shkarkimit te tij, një gjyqtar karriere dhe i vetmi me titullin Profesor Doktor në sistemin e drejtësisë.
Ilir Mustafaj: “Dua ti them opinionit publik se Ilir Mustafaj është një gjyqtar me 23 vite karrierë në sistemin e drejtësisë. 23 vite profesor i së drejtës, botues i shumë librave brenda dhe jashtë vendit dhe mbajtës i të vetmit titull Profesor Doktor në sistemin e drejtësisë. Unë kam mbështetur fort reformën në drejtësi, institucionin e vetingut gjithçka që është bërë në të mirë të drejtësisë por sot kundërshtoj fort këtë vendim të komisionit që është marrë në kundërshtim me provat, ligjin dhe Kushtetutën e Shqipërisë dhe Konventën Europiane për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”.
Mustafaj deklaroi se sot humbi Gjykata Kushtetuese.
Ilir Mustafaj: “Me vendimin e sotëm të Komisionit nuk ka humbur Ilir Mustafaj si individ, pasi Mustafaj do e ankimojë vendimin në instanca më të larta dhe jam i bindur që do të vendosin pro drejtësisë së tij. Por sot ka humbur vendi. Ka humbur Gjykata Kushtetuese e cila nuk do të ketë në përbërje të saj një gjyqtar të ndershëm, profesional të karrierës dhe një profesor të së drejtës.”
Ilir Mustafaj ka qenë dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Vendimi për shkarkimin e tij u mor nga trupa gjykuese e perbere nga: Lulzim Hamitaj, kryesues, Valbona Sanxhaktari anëtare dhe Xhensila Pine relatore.