Sport Zyrtare, Matthijs de Ligt i Juventusit deri në vitin 2024, detajet e...

Zyrtare, Matthijs de Ligt i Juventusit deri në vitin 2024, detajet e kontratës milionere

Matthijs de Ligt është zyrtarisht futbollist i Juventusit. Klubi bardhezi, nëpërmjet një njoftimi për shtyp ka zbuluar të gjitha detajet e kontratës me qendërmbrojtësin holandez, i cili konsiderohet një goditje e madhe për fazën mbrojtëse të skuadrës së drejtuar tashmë nga Maurizo Sarri.

“Juventus Football Club S.p.A. komunikon se ka arritur marrëveshjen me Ajaxin për mblerjen e paraqitjeve sportive të futbollistit Matthijs de Ligt për 75 milionë euro, shumë që do të shlyhet në 5 këste, plus 10.5 milionë euro komision (shkon për menaxherin Mino Raiola). Kontrata është 5-vjeçare, pra deri më 30 qershor 2024.”

Mësohet se paga e lojtarit (7.5 milionë në vit) mund të shkojë me bonuset deri 12 milionë euro në sezon. Në marrëveshje ka një klauzolë largimi prej 150 milionë eurosh, por që nuk është e vlefshme deri në përfundim të sezonit të dytë, pra deri në verë të vitit 2021.

De Ligt u bë protagonist absolut me “harkëtarët” në Eredivisie e veçanërisht në Champions League, duke u kualifikuar deri në gjysmëfinale. Mjeshtëria teknike, dominimi fizik, vizioni i lojës, menaxhimi dhe interpretimi i dinamikës mbrojtëse, aftësia për të shënuar, sidomos me kokë, e bëjnë Matthijs një mbrojtës modern, një lojtar i cili edhe pse ka pak kohë që është shfaqur në futbollin profesionist, ka bërë që të flitet shumë për të.