Jurgen Klopp i ka paralajmëruar tifozët e Liverpoolit që të mos presin ndonjë goditje të madhe këtë verë, edhe pse rivalët më të rëndësishëm në Angli dhe kontinent po bëjnë investime të frikshme.
The Reds shpenzuan jashtëzakonisht në dy dritaret e fundit të merkatos, duke afruar emra të klasit botëror si Alisson, Virgil van Dijk e Fabinho, ndërsa tani klubi i ka marrë frytet e investimit, sepse fitoi Champions League dhe ishte shumë pranë titullit në Angli.
Megjithatë, këtë verë Klopp ka menduar në radhë të parë të ruajë grupin kampion Europe dhe e ka bërë të qartë që Liverpool nuk ka fuqinë financiare të disa klubeve nëpër Europë.
“Jemi shumë të qetë, nuk kemi asnjë urgjencë në merkato. Nuk do jetë ndonjë merkato e paharrueshme për ne, e kam thënë edhe më parë, sepse investimet e rëndësishme i kemi kryer vjet dhe nuk mund të shpenzojmë njësoj çdo vit.
Njerëzit flasin për shifra të çmendura, duan edhe 200-300 milionë sterlina të investuara për lojtarë të rinj, por në këtë moment vetëm Barcelona e Real Madrid mund ta bëjnë këtë gjë. City e PSG kanë burimet financiare për ta bërë çdo vit, thesi ynë nuk është aq i thellë.
Gjithsesi, ne jemi në rregull, jam i lumtur me këtë ekip, jemi të gjithë të lumtur dhe nuk jemi nën presion për përforcime urgjente.
Nuk mund të kemi lojtarë të klasit botëror në formacion, pastaj edhe në stol. Nuk është kaq e thjeshtë, por ne kemi zgjidhje për çdo emergjencë me lojtarët që kemi. Të rinjtë duan të zhvillohen dhe të tregojnë se vlejnë, lojtarë si Naby Keita e Xherdan Shaqiri janë të dëmtuar dhe do të kthehen së shpejti, disa të tjerë do të kthehen pak më vonë nga pushimet”, tha Klopp.