Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi sot se Klement Balili i ka ditët e numëruara, pasi shumë shpejt do të jetë para drejtësisë.
Vendimi i kreut të shtetit për të mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare për rastin “Balili” nuk është pritur mirë nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.
Duke folur nga Berati, kreu i rendit thotë se çuditet nga fakti, kur kjo strukturë nuk është mbledhur as për Lazaratin.
Deklarata e plotë ministrit Saimir Tahiri
Ne jemi shumë të bindur që beteja jonë më e madhe është të reagojmë që në Shqipëri – sot, nesër e në vazhdim – të mos ketë të paprekshëm dhe qytetarët të jenë të gjithë të barabartë para ligjit. Dhe pikërisht për shkak të këtij, ose më saktë shfaqet në vendin tonë, kemi ndërmarrë aksione, bashkë me partnerët, të cilat kanë dhënë rezultate të shkëlqyera.
Këto ditë po çuditet publike me thirrjen e Presidentit të Republikës Këshillit të Sigurisë për Balilin. E në fakt çuditet publiku sepse Këshilli i Sigurisë nuk është mbledhur as për Lazaratin.
Po çuditet publiku pasi Këshilli i Sigurisë nuk është mbledhur as kur Lazarati ishte aty. Megjithatë unë jam shumë i kënaqur të informoj Këshillin e Sigurisë dhe pa asnjë diskutim edhe Presidentin e Republikës, i cili për arsyet e veta është i pa informuar. Por jam akoma më i bindur që asnjë pengesë, asnjë insinuatë, politike ose jo nuk do më ndalonte kurrë mua dhe aq më pak policinë e Shtetit të bënte detyrën ndaj atyre që deri dje ishin të pandëshkueshëm dhe atyre që deri dje ishin të pabarabartë dhe që nuk i prekte njeri.
E Balil e Balila mund ti kenë ende ditët e numëruara por shumë shpejt do të jenë përpara drejtësisë. Kjo është detyra jonë dhe ky është vullneti ynë për të garantuar që qytetarët shqiptar të mos kenë më nëpër këmbë të pandëshkueshëm”.