Bota Tragjedi në Mesdhe: Rreth 115 refugjatë të humbur

Tragjedi në Mesdhe: Rreth 115 refugjatë të humbur

Sërish para brigjeve të Libisë është mbytur një anije me refugjatë. OKB bën fjalë për një tragjedi dhe kërkon të rivendoset sistemi shtetëror i shpëtimit në det në Mesdhe.

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit (IOM) 134 vetë janë shpëtuar para brigjeve të Libisë. Ata u dërguan në zonën bregdetare Al-Chums në lindje të Tripolit, ku do të strehohen në kapanone. Të mbijetuarit thonë, se anija e tyre u rrezikua në det dhe u mbyt. Të paktën 115 migrantë ende konsiderohen të humbur. Ndoshta ata mund të jenë mbytur.

Shefi i Komisariatit të OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi, në twitter shkruajti, se “kjo është një ndër tragjeditë më të rënda në Mesdhe” gjatë këtij viti. Ai kërkoi të rivendoset sistemi i shpëtimit detar, t’i jepet fund internimit të migrantëve në Libi dhe të mundësohen më shumë rrugë të sigurta për largimin nga vendi.

Libia është një epiqendër e rëndësishme për të arratisurit, që përmes Mesdheut duan të mbërrijnë në Europë. Por në këtë vend afrikanoverior mbizotëron lufta civile, pjesë të rëra të vendit kontrollohen prej milicëve. Çdo vit vijnë atje mijëra njerëz në përpjekje, për të kaluar Mesdheun.

Sivjet kanë qenë mbi 680 vetë. Më shumë se 3700 janë kapur dhe janë strehuar në kampe internimi në Libi, vuri në dukje IOM. Brenda BE-së ndërkohë ka grindje, lidhur me mënyrën se si të shpërndhen njerëzit e shpëtuar në det. Për këtë arsye misioni i BE-së “Sophia” e ka ndërprerë aktivitetin dhe nuk ka më anije me mision në det. Gjithësesi mandati i këtij misioni përfundon në fund të shtatorit.

Në një situatë të tillë gjithnjë emë shumë anije private nisen drejt Mesdheut për të shpëtuar njerëzit. Por aktualisht as ato nuk janë në lundrim në Mesdhe. Organizata gjermane Sea-Eye deklaroi, se do të nis drejt brigjeve të Libisë në zonën e shpëtimit anijen “Alan Kurdi”.  Atje ajo pritet të mbërrijë të martën, sikurse deklaroi organizata nga Regensburgu.

Italia rrit presionin

Ndërkohë qeveria italiane synon të vendosë një ligj, që mundëson gjobitjet me deri në një milionë euro të ekuipazheve të shpëtimit në det nëse ata me anijet e tyre prekin ujërat territoriale italiane. Një gjë e tillë ndodhi së fundi me kapitenen e anijes “Sea-Watch 3”, Carola Rackete. Parlamenti në Romë i ka dhënë dritën e gjelbër këtij projektligji. Ligji i ri do t’u mundësojë autoriteteve, që t’i konfiskojnë këto anije në rast se ato shkelin rregullin e lundrimit në territor të ndaluar. Me këtë Italia po rrit presionin ndaj organizatave të ndihmës, që shpëtojnë migrantët në Mesdhe./DW