Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka i ka kthyer përgjigje shqetësimit të Presidentit Ilir Meta për rrezikun që i kanoset vendit tonë nga një tërmet i përmasave të mëdha.
Përmes shkresës zyrtare, ministrja shprehet se pas konsultimeve me specialistë të fushës, rezulton se tërmetet janë një fenomen i paparashikueshëm, ndërkohë që vë në dukje vëmendjen maksimale të qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes ndaj fatkeqësive natyrore.
“I nderuar z. president, jam njohur përmes shkresës, datë 29.07.2019, me shqetësimin e ngritur nga ju, lidhur me rrezikun që i kanoset vendit tonë dhe mbarë rajonit, nga një tërmet i përmasave apokaliptike që pritet të godasë së shpejti, jo vetëm Shqipërinë por mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Përfitoj nga rasti për t’ju informuar ju, e përmes jush edhe mbarë opinionin, pas konsultimeve me Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), se aftësia për të parashikuar vitin, datën e orën kur do të godasë një tërmet, apo fuqinë me të cilën do të godasë shkon përtej mundësive të shkencës. Tërmetet për fat të keq janë të paparashikueshëm. Ky është një fakt që e konfirmojnë sizmologët tanë dhe çdo sizmolog kudo në botë. Për më tepër, e konfirmon edhe vetë sizmologu i njohur Tselentis, fjalët e të cilit janë bërë shkas për shqetësimin tuaj.
Besoj që jeni informuar, që në një reagim të tij ndaj alarmit tuaj, ai është shprehur disi i çuditur mbi lajmin e rremë, siç e quan ai duke thënë se, “nuk mundem dhe asnjëherë nuk kam bërë asnjë parashikim specifik për tërmete”. Shpresoj që përgjigjja e sizmologut të sipërcituar, e cila përputhet edhe me qëndrimet e sizmologëve shqiptarë e sizmologëve në mbarë botën, i jep një përgjigje ezauruese arsyes së shqetësimit tuaj: tërmetet janë të paparashikueshëm.” shkruan Xhaçka.
Ministrja Xhaçka thekson se Shqipëria është më e përgatitur se kurrë në këto 30 vite për t’u përballur me emergjencat, duke përmendur kapacitetet e shtuara reaguese, profesionalizmin e personelit përgjegjës dhe koordinimin efikas institucional.
Gjithashtu, ministrja Xhaçka fton Presidentin e Republikës të dekretojë sa më shpejt ligjin “Për Mbrojtjen Civile”, i cili pritet të reformojë tërësisht qasjen e institucioneve ndaj fatkeqësive natyrore.