Hamza bin Laden, djali i themeluesit të Al Kaedës, Osama bin Laden, ka mbetur i vrarë në një sulm ajror. Lajmin e kanë bërë të ditur mediat amerikane, që citojnë burime pranë shërbimeve të inteligjencës.
Megjithatë, ato nuk kanë qenë në gjendje të japin datën dhe vendin e saktë ku ka ndërruar jetë djali i sheikut të terrorit. Pentagoni ka refuzuar të bëjë komente, e po ashtu edhe presidenti Donald Trump kur u pyet të mërkurën mbi çështjen.
Hamza bin Laden, që mendohet se ishte rreth të 30-ave, kishte publikuar një seri mesazhesh në formë audio dhe video ku bënte thirrje për sulme ndaj Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera.
Në Shkurt të këtij viti, qeveria amerikane ofroi 1 milion dollarë për informacionet që do të çonin në kapjen e tij. Djali i Osama bin Laden shihej si një figurë në ngjitje në hierarkitë e Al Kaedës dhe si pasuesi i mundshëm i të atit në krye të rrjetit terrorist.
Mediat amerikane, mes të cilave “New York Times”, “CNN” dhe “NBC News” kanë raportuar se 30-vjeçari ka mbetur i vrarë në një operacion ushtarak të kryer në dy vitet e fundit, por pa qenë në gjendje të japin datën e saktë.
Vetëm dy vite më parë Hamza bin Laden ishte shpallur zyrtarisht nga Shtetet e Bashkuara si një terrorist ndërkombëtar. Ai mendohet të ketë qenë nën arrest shtëpie në Iran, edhe pse të dhëna të tjera sugjerojnë se mund të ndodhej në kufirin afgano-pakistanez.