Edhe 24 vjet pas operacionit të ashtuquajtur ”Stuhia” (5 gusht 1995) tensionet verbale midis Serbisë dhe Kroacisë vazhdojnë të jenë ende të larta.
Kjo e fundit e konsideron veprim të ligjshëm çlirimin e zonave të pushtuara të vendit, ndërsa serbët e shohin atë si një tragjedi dhe një akt spastrimi etnik.
Ky ishte një operacion i kryer gjatë luftës për pavarësinë e Kroacisë, i koordinuar nga ushtria kroate, me mbështetje ushtarake të forcave boshnjake të ushtrisë së Bosnje-Hercegovinës, kundër ushtrisë serbe të Krajinas dhe milicive boshnjake rebele të Rajonit Autonom të Bosnjes Perëndimore.
Të paktën 400 mijë serbë u spastruan nga Kroacia.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, në funksion të ceremonisë për këtë përvjetor, fton autoritetet kroate të shpjegojnë se si ishte e mundur që nga 582 000 serbë të regjistruar në censusin e vitit 1981, vetëm 184 000 të tillë u deklaruan të tillë në vitin 2011.
Vuçiç thotë se për Kroacinë operacioni “Stuhia” ishte një ditë e gëzueshme, ndërsa për Serbinë është një nga ditët më të trishtuara të historisë së vendit.
Nga ana tjetër, presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç, dërgoi një mesazh me rastin e Ditës të Fitores, të Atdheut dhe Ditës së Veteranëve, duke thënë se operacioni ”Stuhia” e shndërroi në realitet ëndrrën e kroatëve për liri e pavarësi duke lejuar që vendi të bëhej anëtar i plotë i bashkësisë ndërkombëtare.
Kryeministri kroat, Andrei Plenkoviç, në një mesazh, tha se Zagrebi feston me krenari 24-vjetorin e operacionit ushtarak “madhështor” falë të cilit “rendi kushtetues dhe ligjor i Kroacisë u vendos në pjesën më të madhe të pjesëve të saj”.
Në Serbi, përkujtimi i 24-vjetorit të operacionit ”Stuhia” dhe dëbimi i serbëve nga Kroacia u zhvillua në manastirin e Krusedolit (50 kilometra në veri të Beogradit). Patriarku i Kishës Ortodokse Irinej kujtoi se ”Stuhia” ishte një krim i planifikuar nga shteti kroat dhe dënoi heshtjen e Kishës Katolike Romane.
Së bashku me qindra persona, presidenti Vuçiç dhe kryeministrja Ana Brnabiç ndezën qirinj për të kujtuar këtë ditë.
“Serbët u larguan nga Kroacia, por nuk u zhdukën përgjithmonë”, tha Vuçiç duke ngritur pikëpyetjen nëse Kroacia ishte më e lumtur dhe më e pasur sot për shkak të asaj që ka bërë”.
Në Kroaci, 24-vjetori i operacionit ”Stuhia” do të festohet sot dhe, ashtu si gjatë viteve të kaluara, ceremonia kryesore do të zhvillohet në Knin, bastioni i rebelëve serbë në Kroaci