Kryesore Komisioneri Publik ankimon vendimin për kreun e Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë

Komisioneri Publik ankimon vendimin për kreun e Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë

Komisioneri Publik ankimon në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Kastriot Selita, magjistrat/gjyqtar, Kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.

Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të tria kriteret e rivlerësimit nuk është i plotë, duke u konsideruar si i tillë, i pamjaftueshëm për të konfirmuar në detyrë z. Kastriot Selita.

“Mbështetur dhe në rekomandimin e Komisionit prej tre vëzhguesish ndërkombëtarë të ONM-së, për të ankimuar vendimin nr. 161, datë 18.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisioneri Publik, nëpërmjet këtij ankimi, i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të gjykojë mbi të tria kriteret e rivlerësimit dhe, në përfundim të shqyrtimit të këtij ankimi, në varësi të rezultateve të hetimit gjyqësor, të vendosë ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit të lartpërmendur të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”, thuhet në njoftim.

Me 18 qershor, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur konfirmimin në detyrë të Kryetarit të Gjykatës së Apelit Administrativ, Kastriot Selita.

Gjatë hetimeve nga KPK rezultoi se ndaj kryegjyqtarit u paraqit një denoncim nga një grup gjyqtarësh të Apelit Administrativ ku pretendohej se në çështjen e vitit 2016 të Bledar Valikaj bashkëshorti i deputetes Ermonela Felaj dhe Presidentit te Republikës kishte një komplikim juridik.

Sipas denoncimit trupi gjykues ku bënte pjese edhe Selita ka luajtur rol aktiv ne urdhërimin e KLP-së. Por sipas Selitës vendimi nuk ka qenë detyrues ndaj KLP për të ndërmarrë veprime ekstra ligjore. Ndërkohë një tjetër denoncim për gjyqtarin e apeli të administrativ ishte bere edhe ne lidhje me figurën.

Po një grup kolegësh të tij gjyqtarë të kësaj gjykate e kishin denoncuar për kontakte me një person të papërshtatshëm me inicialet L.H element sipas tyre i përfshire në krime në fushën narkotike dhe evazionit fiskal.

Ky pretendim është hedhur poshtë nga Selita por edhe vetë KPK ka konstatuar se nga verifikimet e kryera informacioni nuk kishte rezultuar i vërtetë.