Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) i kërkon Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidenti të Republikës të rishpallin thirrje për dy vende vakante në Gjykatën Kushtetuese.
Vendet e lira u krijuan për shkak se gjatë procesit të verifikimit të kushteve ligjore, KED skualifikoi kandidatët për vakancat e Kuvendit, ndërsa për vakancat e shpallura nga Presidenti mbeten vetëm dy kandidatë nga tre që kërkon ligji.
Në mbledhjen e së premtes, KED përfundoi intervistimin e kandidatëve për në Kushtetuese. Para Këshillit doli Arta Vorpsi, Elsa Toska, Regleta Panajoti, Fiona Papajorgji dhe Marsida Xhaferllari. Kandidati Besnik Muçi u intervistua në mbledhjen e kaluar.
Në vijim, KED do të shqyrtojë dokumentacionin e gjithë kandidatëve për të bërë vlerësimin, pikëzimin dhe renditjen e tyre. Pasi të miratohet në KED, emrat e renditur i dërgohen Parlamentit dhe Presidencës.
Ndërkohë, Këshilli shtyu për në mbledhjen e radhës vendimarrjen në lidhje me rihapjen ose jo të aplikimeve për Inspëktor të Lartë të Drejtësisë. Deri më tani në garë janë 4 kandidatë, ndërkohë që ligji kërkon të paktën 5 të tillë.