Spektakël dhe emocione në sfidën e “Old Trafford” mes Manchester United dhe Chelsea-t, që përfundoi me fitoren e thellë 4-0 të “Djajve të Kuq”. Një rezultat ndoshta i gënjeshtërt, pasi blutë e Londrës goditën shtyllën me Tammy Abraham që në minutën e katërt si dhe iu afruan golit edhe me Emerson në fundin e pjesës së parë, por pa mundur të mposhtnin portierin Kepa.
“Djajtë e Kuq”, edhe pse nuk ishin shumë të qartë në lojë në pjesën e parë, e zhbllokuan takimin në minutën e 18-të me Rashford, që ekzekutoi saktësisht një 11-metërsh të shkaktuar nga Zouma. Sulmuesi 21-vjeçar e festoi këtë gol me simbolin e shqiponjës, teksa mori përgëzimet nga shokët e skuadrës.
Chelsea u duk sikur e nisi me mentalitetin e duhur fraksionin e dytë, por u ndëshkua nga dy gola brenda 2 minutave (65’, 67’), të shënuar nëpërmjet kundërsulmeve nga Antony Martial dhe Rashford.
Trauma psikologjike ndikoi në lojën e Chelsea-t, që u ndëshkua sërish pas një kundërsulmi të shpejtë në minutën e 81-të nga Daniel James, i afruar gjatë verës te “Djajtë e Kuq”.
Provë shumë e mirë për mbrojtësin e United Maguire, që edhe pse ka vetëm për ditë nën urdhrat e Solskjaer e nisi titullar, duke u shfaqur lider i mbrojtjes krah Lindelof.
Një humbje shokuese kjo për trajnerin Frank Lampard, që debuton në mënyrën më të keqe të mundshme në Premier League.